Janevska e prezantoi draftin e Strategjisë së re të Arsimit dhe bëri thirrje për debat publik

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska i prezantoi sot Qeverisë tekstin e draftit të Strategjisë së re të Arsimit me një afat zbatimi prej 2026 deri në 2032, transmeton Portalb.mk.

Siç tha ajo, pas gjashtë muajsh pune intensive, dokumenti është finalizuar ndërsa në krijimin e tij morën pjesë përfaqësues nga Banka Botërore, UNICEF, UNDP, GIZ, Ambasada e Zvicrës në vend, një numër i madh organizatash joqeveritare, përfaqësues nga ministria, Inspektorati Shtetëror i Arsimit, Qendra Shtetërore e Provimeve, Qendra për Arsim të Mesëm Profesional dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit.

Ky version i draftit pritet të ngarkohet sot në Regjistrin e Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve (ENER), në mënyrë që publiku i gjerë të mund të marrë pjesë në krijimin dhe miratimin e dokumentit përfundimtar strategjik që do të vazhdojë zhvillimin e sistemit kombëtar të arsimit.

Janevska tha se prezantimi i tekstit të Strategjisë nuk është ndryshim rrënjësor, por plotësim i politikave ekzistuese, me fokus në zgjidhjen e sfidave kryesore dhe harmonizimin me trendet globale arsimore.

“Duke filluar me ndryshimin e programeve në moshën parashkollore, pastaj në përfshirjen në arsimin fillor dhe të mesëm, optimizimin e rrjetit shkollor, arsimin me kohë të plotë, modelet e reja për arsimin e mesëm dhe profesional dhe një koncept të reformuar maturën shtetërore, , futjen e formulave të financimit në pushtetin lokal në lidhje me arsimin, legjislacionin e ri në arsimin e lartë. Pra, gjithçka për të cilën kemi folur tashmë dhe duhet të përfshihet, me qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit”, tha Janevska.

Ministrja theksoi se është përfshirë edhe inteligjenca artificiale. Ajo bëri thirrje që publiku të bashkohet në debatin publik, në mënyrë që strategjia të jetë më cilësore.

Ndryshe, Strategjia filloi të përpilohet në muajin qershor 2025.