Politikat rinore në RMV gjatë 2025: Shumë fjalë, pak ndryshime

Viti 2025 ishte vit kontrastesh për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut, mes premtimeve institucionale dhe realitetit të vështirë social. Autoritetet promovuan masa për punësim megjithatë papunësia, emigrimi, dhuna kibernetike, përjashtimi nga vendimmarrja dhe kushtet e dobëta në arsim mbetën probleme të thella dhe të pazgjidhura. Raportet ndërkombëtare, reagimet e organizatave civile dhe përvojat e vetë të rinjve treguan se politikat rinore shpesh mbetën në letër, pa ndikim real në jetën e përditshme. Portalb.mk sjell një përmbledhje të zhvillimeve kryesore që shënuan vitin 2025 për rininë në vend.

Në fillim të vitit u miratua Plani Operativ për Punësim, ku 720 të rinj deri në moshën 29 vjeç u përfshinë në masa për vetëpunësim. Përfituesit, të regjistruar në Agjencinë për Punësim dhe me arsimin minimal fillor, morën mbështetje financiare.

Megjithatë, në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2025, situata e papunësisë u vlerësua si sfiduese. Edhe pse kishte rënie të lehtë të papunësisë, ajo u atribua më shumë emigrimit sesa hapjes së vendeve të reja të punës. Papunësia mes të rinjve mbeti problem i pazgjidhur, ndërsa kërkohej forcim i kapaciteteve të Agjencisë së Punësimit dhe miratimi i Planit të Veprimit për Punësim 2025–2027. 

Gjithashtu, u paralajmërua një plan për kthimin e të rinjve nga diaspora, por ky plan ende nuk është konkretizuar. 

Në vitin 2025, dhuna mes të rinjve nuk u ul, përkundrazi u shtua dhuna kibernetike. Pas sfidës “Superman” në TikTok në vitin 2024, platformat sociale vazhduan të jenë burim i rrezikut për nxënësit, me shumë të lënduar fizikisht. Institucionet ende nuk vendosën masa kufizuese ose programe të detyrueshme për edukim medial dhe siguri në internet. 

Sipas një raporti të Analytica think-tank, 50 përqind e nxënësve të shkollave të mesme në vend përjetuan dhunë kibernetike, por gjysma prej tyre nuk e denoncuan për shkak të frikës. 

Amfiteatër, prezantim, të rinj, rini, universitet. Foto: Bayley Nargang/Pixabay
Foto: Bayley Nargang/Pixabay

Të rinjtë mbeten një grup i cenueshëm me përfshirje minimale në vendimmarrje si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal. Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, u publikua Raporti i Monitorimit të Ligjit për zbatimin e Ligjit Rinore, që evidentoi ulje të zbatimit dhe ulje të numrit të komunave me këshilla rinore. 

Rënia e numrit të studentëve dhe interesimi për shkollim jashtë vendit nënvizuan mungesën e kushteve për të mbajtur të rinjtë në vend. 

Studentët vazhduan të përballen me sfida nga më të ndryshmet, standard i ulët studentor, transport publik joefikas, konvikte me kushte jo të mira, korrupsion në universitete dhe shumë të tjera. Edhe nxënësit e shkollave të mesme vazhdojnë të ndjekin mësimin në kushte të këqija. Vitin e kaluar, pas shumë zvarritjeve studentët i morën edhe vauçerët studentorë.

Ankthi dhe depresioni u përhapën me simptoma të ndryshme, duke theksuar nevojën për mbështetje profesionale. 

Gjatë vitit 2025, Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – Metamorfozis, në bashkëpunim me CFI – Agjencinë Franceze për Zhvillimin e Mediave dhe me mbështetjen e Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme të Francës, zbatoi iniciativën Balkan News Truck në kuadër të projektit Shared Horizons. Aktivitetet me të rinjtë u zhvilluan në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor.

Edhe në vitin 2025, Portalb.mk vazhdoi të trajtojë problematikat rinore, ndërsa seria e podcastit OpenMic shërbeu si një platformë e rëndësishme për të adresuar çështjetdhe problemet që prekin të rinjtë.