Vazhdon pastrimi i lindanit në OHIS, por s’ka para për të përfunduar deponinë e vogël

Pas një pauze shtatë mujore, këto ditë do të nisë pastrimi i deponisë së vogël të lindanit në OHIS. Do të duhet të gërmohen edhe 450 ton mbetje të tjera HCH dhe 250 ton tokë e kontaminuar me HCH nga deponia dhe puna në terren pritet të përfundojë deri në fund të qershorit, transmeton Portalb.mk.

Mbetjet e rrezikshme, ashtu si sasitë paraprake, do të transportohen pjesë-pjesë deri në vitin e ardhshëm në objektet e shkatërrimit në Gjermani dhe Francë. Megjithatë, Ministria e Mjedisit bën me dije se Fondi Multipartner aktualisht ka para vetëm për të përfunduar detyrimet e pastrimit të pishinës së tretë dhe mundësisht të fillojë punimet për pishinën e katërt. Bëhet fjalë për 2.1 milionë euro, nga të cilat dy milionë janë nga fondet evropiane dhe 100 mijë euro nga buxheti i shtetit.

Arsyeja për këtë është se rehabilitimi i deponisë së vogël me lindan deri më tani ka shfaqur disa devijime ndërmjet vlerësimeve fillestare dhe sasive aktuale të mbetjeve. Megjithatë, thonë ata, për momentin po punohet në përgatitjen e terrenit për vazhdimin e aktiviteteve, por nuk saktësojnë se si, sa dhe nga ku do të gjenden para për përfundimin. Në tenderin e ri u zgjodh e njëjta kompani për të zbatuar procesin e rehabilitimit, ajo greke “Polieko”. Ata aktualisht janë duke bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, përfshirë trajnimin dhe ekzaminimet mjekësore të personave të punësuar për të kryer punën në terren.

“Komiteti këshillëdhënës teknik, i përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ekspertë të punësuar nga Zyra e UNOPS-it dhe një përfaqësues nga Fakulteti i Shkencave Matematikore në Universitetin “Shën “Kiril dhr Metodi” – Instituti i Kimisë, ka dhënë rekomandim për miratimin e Planit të rehabilitimit për pjesën e 4, i cili është miratuar nga ministrja Kaja Shukova më 26 mars”, thonë nga Ministria.

Lidhur me pauzën e madhe kohore nga pastrimi pjesës së tretë deri në pastrimin e pjesës së katërt dhe më parë mes pjesës së dytë dhe të tretë, Ministria thotë se kjo sipas rregullave dhe procedurave të prokurimit të Zyrës së UNOPS-it, e cila menaxhon procesi, duhet të sigurojë para në fondin Multi-Partner për përfundimin e pastrimit dhe që bën zgjedhjen e kompanisë për kryerjen e punimeve.

“Si një organizatë e specializuar në prokurime, UNOPS siguron integritet, transparencë dhe konkurrencë efektive gjatë procesit të përzgjedhjes së kompanive për shërbime të caktuara. Zgjedhja e procedurës që do të zbatohet gjatë procesit të zgjedhjes së një kompanie për shërbime të caktuara varet nga një sërë faktorësh, dhe për këtë arsye nuk duhet të jetë domosdoshmërisht e njëjtë. UNOPS-i punon sipas rregullave dhe rregulloreve të prokurimit dhe si një organizatë me kapacitet për të mundësuar prokurim efektiv dhe efikas, është zgjedhur partner në këtë projekt”, thonë nga Ministria.

Procedura, thekson ky institucion, përfshin disa hapa që janë në përputhje me praktikat ndërkombëtare si përcaktimi i kërkesave, financimi, kërkesat specifike për shërbime, dokumentacioni i nevojshëm, vlerësimi, miratimi dhe finalizimi i kontratës. Kontratat e lidhura me OHIS janë të rëndësishme për nga vlera dhe kompleksiteti dhe për këtë arsye kërkojnë vëmendje të veçantë, e cila në të njëjtën kohë ka ndikim në vetë procesin.

Dinamika me të cilën do të bëhet riparimi, sipas Ministrisë, duke përfshirë planifikimin e prokurimit, varet nga një sërë faktorësh si buxheti në dispozicion, statusi i aktiviteteve aktuale dhe sasia e mbetjeve. Pastrimi i deponisë së vogël ka nisur pikërisht dy vite më parë dhe atëherë ishte paralajmëruar se do të zgjaste maksimumi një vit e gjysmë. Ministria thotë se procesi është kompleks dhe varet nga shumë faktorë, duke përfshirë disa ngjarje të papritura siç është nxjerrja e sasive të caktuara të merkurit, që ka bërë të nevojshme aplikimin e masave dhe aktiviteteve të veçanta, e me këtë edhe zgjatjen e disa aktiviteteve që kanë të bëjnë me rehabilitimin.

Vonesa ka pasur edhe në transportin e mbetjeve të kontaminuara, për faktin se impiantet në Gjermani dhe Francë nuk kanë mundur të kryejnë djegien e mbetjeve sipas planit të punës.

“Një arsye që ka ndikuar në harkun kohor është procesi administrativ i sigurimit të lejeve ndërkombëtare për transportin përmes vendeve tranzit. Gjithsesi, dinamika e realizimit të aktiviteteve në vitin 2023 ka qenë stabile dhe rrjedhimisht presim progres pozitiv edhe në vitin 2024, i cili gjithashtu do të jetë plotësisht në përputhje me Planin”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit.

Pastrimi i deponive në OHIS ka rifilluar në qershor pas një pauze gjashtëmujore. Matjet dhe hulumtimet treguan se gërmimi i deponive për t’i pastruar nuk ndikon në ndotjen e ajrit dhe shëndetin e qytetarëve. Janë siguruar 2.5 milionë euro të reja për të përfunduar pastrimin e deponisë së vogël të lindanit në OHIS. Ministrja e Mjedisit Kaja Shukova bëri me dije se një pjesë e parave sigurohen nga buxheti i brendshëm, ndërsa një pjesë janë nga një donator, i cili mbyll konstruksionin financiar për përfundimin e pastrimit të kësaj pike të nxehtë.