Muslimanët agjërojnë ditën e fundit të Ramazanit, nesër festojnë Fitër Bajramin

Myslimanët në mbarë botën sot agjërojnë ditën e fundit të Ramazanit, i cili këtë vit nisi më 11 mars. Nesër besimtarët e përkatësisë islame, do të shënojnë festën e Fitër Bajramit, shkruan Portalb.mk.

Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit Islam.

Muaji zgjatë 29 ose 30 ditë bazuar në vëzhgimet pamore të hënës së re dhe sipas llogarive të shumta të hartuara në hadithe.

Ramazani është muaji i agjërimit, që do të thotë shmangia e ushqimit dhe lëngjeve, fjalëve dhe sjelljeve të këqija dhe gjërave të tjera të ndaluara në Islam.

Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe zgjatë nga agimi deri në perëndimin e diellit.

Në fund të ramazanit vjen Fitër Bajrami, apo festa e prishjes së agjërimit.

Festën e Bajramit të Ramazanit do ta shënojnë të gjithë besimtarët, e sidomos ata të cilët kanë dhënë kontributin e tyre shpirtëror e fizik.
Baza sheriatike e faljes së namazit të bajramit është në suren El-Kevther, ajeti 2: “Prandaj falu për Zotin tënd dhe pre kurban!”, dhe në suren El-A’la ajeti 14-15: “Shpëtimin do të arrijë ai që pastrohet (nga të këqijat) dhe që e përmend emrin e Zotit të vet dhe falet!” Komentuesit e Kur’anit mendojnë se fjalët falu (fe sal-li –) dhe falet (fe sal-) janë në lidhje me faljen e namazit të bajramit.