Rreth 80 ton lindan nga deponia e vogël e OHIS janë eksportuar në Francë

Rreth 80 ton lindan janë nxjerrë nga deponia e vogël në OHIS dhe janë eksportuar dje në Francë për asgjësim. Pjesa e tretë e deponisë filloi të pastrohet muajin e kaluar dhe deri më tani janë gërmuar dhe paketuar 231 ton mbetje HCH, të cilat do të transportohen për asgjësim gjatë periudhës së ardhshme, transmeton Portalb.

Siç informon Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor gjatë muajit të kaluar janë pastruar 210 tonë tokë të kontaminuar me HCH, eksporti i të cilave është planifikuar për dy muajt e ardhshëm.

“Pastrimi i deponisë së vogël HCH-delta në OHIS vazhdon me rehabilitimin e Lot-it 3, i cili do të largojë 525 ton mbetje HCH dhe 210 ton tokë të kontaminuar me HCH. Në periudhën e mëparshme, gjatë pastrimit të dy pjesët e para nga deponia, janë eksportuar dhe asgjësuar 957 ton mbetje HCH dhe 127 ton tokë të kontaminuar me HCH”, njofton Ministria.

Pastrimi i deponisë së vogël të lindanit rifilloi muajin e kaluar pas më shumë se gjashtë muajsh pauzë. Në qershor, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe planifikimit hapësinor miratoi planin e riparimit të kompanisë greke “Polieko”, e cila u përzgjodh sërish për pjesën e dytë të aktiviteteve të pastrimit të mbetjeve të rrezikshme.

Deponia e vogël me lindan ka rreth 13 mijë tonë, deponia e madhe supozohet të ketë rreth 50 mijë ton lindan dhe deponia në Pelenicë përmban gjithashtu sasi të mëdha mbetjesh të rrezikshme, rreth 40 mijë ton HCH të pastër dhe 6500 ton të tjera të përziera me mbetje fabrike prej qelqi. Përqendrime të larta të HCH në Pelenicë u zbuluan në shtresën e sipërme të tokës, në një thellësi më pak se 20 centimetra, dhe lindani i pastër u gjet vetëm në një thellësi prej gjysmë metri. Deri para pak kohësh në OHIS ruheshin 64 tonë nga dhjetëra kemikale të tjera të rrezikshme, të cilat në dy vite, në gjithsej shtatë eksporte mbetjesh kimike u eksportuan për asgjësim në disa vende.