Toshkovski pretendonte rrejshëm se do të vlejnë patentë shoferët me emrin e vjetër

Më 6 shkurt të këtij viti, në një intervistë për televizionin Alsat, ministri teknik i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski deklaroi se në vend do të vlejnë patentë shoferët e qytetarëve me emrin e vjetër – Republika e Maqedonisë. Vetëm pesë ditë pas kësaj deklarate, dje Ministria e Brendshme njoftoi se patentat e shoferit me emrin e vjetër të shtetit do të jenë të pavlefshme dhe u bëri thirrje qytetarëve që të mos vozisin me patentë shofer të vjetër. Prandaj deklaratën e Toshkovskit të bërë më 6 shkurt të këtij viti e vlerësojmë si të pavërtetë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në intervistën për televizionin Alsat, gazetari e pyet Toshkovskin: “A do të na dënojë policia nëse vozisim me patentë shoferi, e cila ka afat, por është me emrin e vjetër”, të cilës Toshkovski i përgjigjet me vendosmëri “jo” dhe shton:

“Edhe patentë shoferët do të jenë të vlefshme në territorin e Republikës së Maqedonisë”.

Më 11 shkurt, gjegjësisht dje, MPB-ja ka lëshuar një deklaratë për mënyrën e përdorimit të dokumenteve të reja, prej datës 13 shkurt në mesnatë, kur në fuqi hyjnë obligimet nga Marrëveshja e Prespës, me të cilën është ndryshuar emri i Republikës së Maqedonisë në “ Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Në njoftim thuhet se nga mesnata e 13 shkurtit 2024 do të vlejnë vetëm patentë shoferët me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Ministria e Punëve të Brendshme do të veprojë në pajtim me ligjin dhe për këtë apelojmë te qytetarët të mos drejtojnë automjetet nëse nuk kanë patentë shoferi valid me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu paralajmërojmë se në rast të dëmit të shkaktuar gjatë aksidentit në trafik, qytetarët të cilët nuk posedojnë patentë shoferi do ti bartin pasojat rreth dëmit eventual”, thonë nga MPB.

Ky është krejtësisht ndryshe nga pretendimi i ministrit të Brendshëm teknik që është bërë më herët. Njoftimi është dhënë vetëm një ditë para se të hyjnë në fuqi detyrimet e Marrëveshjes së Prespës dhe termin për fotografim është pothuajse e pamundur për të zënë, pasi linja telefonike është vazhdimisht e ndërprerë. Prej aty në opinion lindi paniku se si për vetëm një ditë qytetarët do të mund të merrnin patenta të reja shoferi, gjë që është e pamundur, duke qenë se datat e para për të bërë fotografi janë vetëm në fund të majit të këtij viti.

Ministri Toshkovski dje sqaroi se patentë shoferët e vjetër nuk do të vlejnë sipas Ligjit për siguri në komunikacion.

“Në media ka informacione se MPB-ja do të dënojë. Kjo nuk është çështja. Zoti na ruajt, nëse ka ndonjë aksident, kompanitë e sigurimit do të kenë të drejtën e regresit vetëm për shkak se patenta e shoferit është e pavlefshme. Kjo është një neveri e paprecedentë që do të ndodhë nga nesër”, tha ministri teknik i Brendshëm në një intervistë për televizionin Kanal 5.

Për të gjitha sa më sipër, e konsiderojmë të pavërtetë deklaratën e Toshkovskit se do të jenë të vlefshme  patentë shoferat e vjetër që kanë afat edhe me emrin e vjetër të shtetit.

Sot, 12 shkurt, skadon periudha tranzitore e Marrëveshjes së Prespës.

Të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të kenë ndryshuar dokumentet personale deri më sot. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.