Komiteti i Helsinkit: Po shkelen të drejtat e qytetarëve, shteti të gjejë zgjidhje për dokumentet personale

Komiteti i Helsinkit ka reaguar për situatën me nxjerrjen e dokumenteve personale. Sipas tyre një numër i madh i qytetarëve deri në këtë datë nuk arritën të pajisen me dokumente të reja udhëtimi, ndërsa me dokumente të vjetra udhëtimi do të mbeten edhe shumë qytetarë të Maqedonisë që janë jashtë vendit dhe nuk do të mund të kthehen në atdhe. Kjo, shtojnë nga Komiteti, paraqet shkelje e të drejtës së lëvizjes, diçka që është e garantuar me Kushtetutë, dhe bëjnë thirrje që MPB-ja të gjejë zgjidhje, transmeton Portalb.mk.

“Disa janë bllokuar në vendin e tyre dhe të tjerët nuk do të mund të kthehen. Një çorganizim i tillë prek mijëra bashkëqytetarë tanë dhe çon në shkelje elementare të të drejtave të qytetarëve të cilët për arsye të ndryshme duhet të largohen nga kufijtë e shtetit. Procedurat për nxjerrjen e dokumenteve personale në këtë moment janë të gjata, kaotike dhe përveç cenimit të dinjitetit, shkaktojnë dëme reale të natyrës materiale dhe jomateriale”, thonë nga Helsinki.

Komiteti i Helsinkit konsideron se institucionet e shtetit sillen jashtëzakonisht në mënyrë poshtëruese ndaj qytetarëve të tyre, jo vetëm për shkak të kaosit rreth nxjerrjes së dokumenteve, por edhe në lidhje me shkeljen e të drejtave kushtetuese të qytetarëve. “Qeveria do t’ua pamundësojë largimin dhe kthimit të një pjese të qytetarëve në shtet, gjë që padyshim do të cenojë të drejtën e tyre kushtetuese për lirinë e lëvizjes (neni 27 paragrafi 2 i Kushtetutës së RMV-së), sepse shteti realisht nuk mund të thirret në asnjë shkak me kushtetutë për kufizimin e kësaj të drejte. (Neni 27 paragrafi 3 Kushtetuta e RMV-së-mbrojtja e sigurisë, zhvillimi i procedurës penale ose mbrojtja e shëndetit të njerëzve) Njëkohësisht liria e lëvizjes garantohet me të gjitha dokumentet dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

Si pasojë e kësaj situate rreth një milion qytetarë nuk do të mund të gëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe themelore njerëzore për lëvizjen e lirë.

Kjo e drejtë themelore e njeriut, që nënkupton dalje dhe hyrje të lirë në vend, është e kufizuar për arsye teknike që nuk ofrohen nga shteti dhe institucionet kompetente.

“Hipokrizia e sistemit shtetëror ishte evidente në vitet e kaluara kur vetëm për interesa partiake apo politike gjendeshin zgjidhje për çështje që nënkuptojnë shkelje masive të të drejtave të njeriut”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut reagon ashpër ndaj shkeljes së të drejtave themelore të njeriut dhe kërkon që institucionet kompetente të gjejnë zgjidhjet e duhura sa më shpejt dhe të amortizojnë dëmet që u shkaktojnë qytetarëve.

“Kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme që të riorganizojë menjëherë punën e saj dhe të sigurojë kushte për lëshimin e dokumenteve biometrike të udhëtimit, letërnjoftimeve brenda një afati të arsyeshëm”, përmbyllin reagimin e tyre nga Komiteti i Helsinkit.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.