Alarm i rrejshëm për bombë në Gjimnazin e Tetovës, u arrestua 18 vjeçari
Në rrethinën e Tetovës është kryer bastisje ku është privuar nga liria një 18-vjeçar nën dyshimin për lajmërim të rremë për bombë në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”, transmeton Portalb.mk.
Policia njofton se më 17.11.2026, në periudhën nga ora 05:45 deri në orën 07:25, nëpunës policorë nga Sektori për Luftimin e Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit pranë Departamentit për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, në bashkëpunim me nëpunës policorë nga Sektori për Krim Kompjuterik dhe Njësisë Policore Zherovjan pranë SPB Tetovë, kanë realizuar bastisje në shtëpinë dhe ambientet ndihmëse të A.D. (18), në fsh. Radiovcë, në rrethinë të Tetovës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale sipas nenit 366 të Kodit Penal, përkatësisht për lajmërim të rremë për bombë në shkollën e mesme komunale – gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë.
Gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar një telefon celular, ndërsa A.D. është privuar nga liria dhe është mbajtur në stacion policor për veprime të mëtejshme.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë kallëzimi përkatës.
Kujtojmë se Gjimnazi “Kkirili Pejçinoviq” ka qenë cak i alarmeve të rreme për bomba në shumë raste, ku ka pasur edhe persona të dyshuar të cilët janë arrestuar.
Nga viti 2025 e këndej janë regjistruar më shumë se 320 raste të paraqitjeve të rreme për bomba. Kërcënime nëpër shkollat e Maqedonisë së Veriut ka pasur vazhdimisht nga viti 2022 e këndej, por që rezultonin të rrejshme. Kërcënimet me bomba kanë qenë gjithashtu të përhapura edhe në rajon.