Katica Janeva është punësuar në zyrën avokatore të djalit të saj, del çdo ditë nga burgu për të shkuar në punë

Ish-prokurorja speciale publike , Katica Janeva, kohëve të fundit çdo ditë del nga burgu i Idrizovës dhe shkon në punë, e më pas kthehet prapa grilave. Informacionin për “Fokus” e ka konfirmuar Jovica Stankoviq, drejtor i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve. Ai sqaron se Janeva ende nuk e ka vuajtur dënimin me burg, por po shkon në punë, transmeton Portalb.mk.

Ish-prokurorja punon në zyrën avokatore të djalit të saj, Llazar Janev. Këtë informacion e ka bërë të ditur sot vetë Janeva, duke e shpërndarë në rrjetin social Facebook.

Janeva e ka marrë këtë privilegj sepse e ka vuajtur pjesën më të madhe të dënimit, gati pesë vjet nga shtatë gjithsej.

Më saktësisht, ajo ishte arrestuar si e dyshuar në “Reket” më 21 gusht 2019, pas së cilës ishte në paraburgim dhe pas aktgjykimit me 7 vite burg, ajo u zhvendos në “Idrizovë”.

Janeva u dënua me shtatë vjet burg për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar si prokurore publike speciale në aferën “Reket”. Siç është raportuar së fundmi në media, ajo punon si bibliotekiste në burgun “Idrizovë” dhe shfrytëzon beneficione tjera që i ofron sistemi i burgjeve.

Aktgjykimi për rastin “Reketa” është shqiptuar më 18 qershor 2020. Janeva u dërgua në burgun e Idrizovës më 23 korrik 2021.