Shtetasit që nuk kanë pasaporta me emrin Maqedonia e Veriut pas 12 shkurtit do të qëndrojnë në shtëpi

Greqia nuk toleron për afatet e pasaportave. Shtetasit e Maqedonisë së Veriut që nuk kanë pasaporta me emrin Maqedonia e Veriut deri më 12 shkurt, do të qëndrojnë në shtëpi, raportoi DW. Ashtu janë më shumë se një milion.

Ministri për punë të jashtme në Greqi, Jorgos Gerapetritis deklaroi që Marrëveshja e Prespës patjetër duhet të respektohet. Kjo nënkupton që qytetarët e Maqedonisë së Veriut që nuk kanë pasaporta të reja me emrin Maqedonia e Veriut nuk do të mund të udhëtojnë jashtë vendit prej 12 shkurtit.

“Vazhdimisht kam cekur se Marrëveshja e Prespës paraqet marrëveshje ndërkombëtare. U votua nga Parlamenti grek dhe siç imponon Kushtetuta, kjo Marrëveshje ka fuqi mbi çdo dispozitë tjetër ligjore, që do të thotë se nuk mundet unanimisht të ndryshohet nga cila do palë”, theksoi Gerapetritis nga Parlamenti duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve.

Ministri teknik për punë të brendshme në Maqedoninë e Veriut, Pançe Toshkovski, deklaroi që është e pamundur të respektohet afati deri më 12 shkurt. “Nuk ka teori deri më 12 shkurt. Mos të gënjejmë. Kjo është matematikë”, deklaroi ministri.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.