Tetovë, Nobeli pranoi donacion prej 600.000 denarëve për zjarrin në Panairin Veror të Librit

Libraria “Nobel” pranoi donacion prej 600.000 denarë për tendat dhe librat e djegura në Panairin Veror të Librit, shkruan Portalb.mk.

“Njoftojmë dashamirët e librit dhe opinionin e gjerë publik që, në saj të përpjekjeve altruiste dhe shumë fisnike të ministrit të drejtësisë, z. Krenar Lloga dhe të drejtorit gjeneral të MEPSO-s, z. Zudi Koka , Nobeli ka pranuar një donacion nga institucionet e lartpërmendura për të cilin është thellësisht falënderues dhe mirënjohës”, shkruan në njoftimin e faqes së librarisë “Nobel”.

Dëmi i shkaktuar në Panairin Veror të Librit është mbi 10.000 euro. Sipas drejtuesit të librarisë “Nobel”, Muhamed Asllani, zjarri i 13 gushtit është vënë me ose pa dashje nga ndonjë kalimtar, por nuk ka ende ndonjë konfirmim nga autoritetet se çfarë saktësisht shkaktoi zjarrin.

Aksidenti ndodhi në orën 17, ku në panair nuk kishte asnjeri dhe të parët që vërejtën dhe ndihmuan të fiket zjarri ishin kalimtarë dhe qytetarë nga kafenetë përreth.