Rama: Shqipëria s’do të bëhet pengesë për integrimin e RMV-së në BE
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka sqaruar deklaratën e tij të fundit për marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke thënë se nuk ka ndërmend të përzihet në vendimet e brendshme të vendit. Ai theksoi se Shqipëria gjithmonë e ka mbështetur integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe nuk do të bëhet pengesë në këtë process, shkruan Portalb.mk.
Rama tha se nuk i takon atij t’i tregojë qeverisë dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut se si duhet të veprojnë.
“Unë kam qenë gjithmonë një zë i fuqishëm, ndonjëherë edhe i lartë, në mbështetje të procesit të afrimit dhe anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Asnjëherë nuk do t’i lejoja vetes t’i tregoja qeverisë apo popullit të Maqedonisë së Veriut se çfarë duhet të bëjnë”, tha Rama.
Ai sqaroi se deklaratën e kishte dhënë në përgjigje të një pyetjeje në një televizion bullgar dhe se mediat në Maqedoninë e Veriut kishin veçuar vetëm një pjesë të përgjigjes së tij.
“Në përgjigjen time kam bërë një shpjegim më të gjerë sesa ajo fjali që mediat në Maqedoninë e Veriut kanë veçuar. Kam theksuar sakrificat e mëdha që ka bërë Maqedonia e Veriut, përfshirë ndryshimin e emrit të shtetit, ndërkohë që Bashkimi Evropian, nga ana tjetër, nuk e ka përmbushur atë që ka premtuar”, deklaroi Rama.
Rama tha se pala maqedonase ka arsye të shqetësohet për mundësinë e kërkesave të reja në të ardhmen, pas përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë. Megjithatë, ai vlerësoi se plotësimi i këtij kushti mundëson heqjen e vetos bullgare.
Në fund, kryeministri shqiptar përsëriti qëndrimin e tij se Shqipëria nuk do të pengojë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Shqipëria kurrë nuk do të bëhet pengesë, në asnjë formë, për të vonuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, theksoi Rama.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.