Në një zjarr në Tetovë u dogjën tendat për shitje të librave

Një zjarr ka kapluar tendat për shitje të librave para Qendrës për Kulturë të Tetovës rreth orë 17. Qytetarë, të punësuar në kafenetë e rrethinës dhe dyqane të tjera të parët u përpoqën ta shuajnë zjarrin me kova me ujë dhe aparate për shuarje të zjarreve, shkruan Tetovo info, njofton Portalb.

“Nuk e di se çfarë ka ndodhur, mu lajmëruan vetëm se ka zjarr. Dëmi është mbi 10 mijë euro. U dogjën disa tenda, disa kuti me libra arritëm t’i shpëtojmë. Tendat ishin me qira, ato duhet t’i paguajmë, dëmi do të jetë mbi 20 mijë euro”, deklaroi Muhamed Asllani nga Libraria Nobel.

Pas denoncimit intervenoi edhe Brigada zjarrfikëse e Tetovës prej nga me një automjet dhe katër zjarrfikës e kanë shuar zjarrin.