Vazhdon hetimi për zjarrin në Panairin e Librit në Tetovë, ‘Nobel’ deklaron se nuk ka qenë për shkak të rrymës elektrike

Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi zjarrin në tendat e panairit të Tetovës, i cili të dielën pasdite dogji dhjetëra kuti me libra duke shkaktuar dëm prej rreth 10 mijë eurove. Sipas drejtuesit të librarisë “Nobel”, zjarri është vënë me ose pa dashje nga ndonjë kalimtar. Por autoritetet për Portalb.mk thonë se nuk mund të konfirmohet një gjë e tillë para se të përfundojë zyrtarisht inspektimi i cili vijon.

Në qendrën e Tetovës, para Pallatit të Kulturës, në vendin ku një muaj janë shitur librat e “Panairit Veror në Tetovë“, kanë mbetur vetëm gjurmë të zeza si pasojë e zjarrit që i kaploi tendat e shitjes. Pasditja e së dielës ishte e kobshme për këtë panair në të cilin mërgimtarët kishin interesim të madh për librat për fëmijë. Zjarri shpërtheu rreth orës 16:40 kur nuk ka pasur njeri, sepse në këtë ditë të fundjavës, panairi hapej prej orës 18:00.

Sipas drejtuesit të librarisë “Nobel”, Muhamed Asllani, në këtë orë nuk ka qenë askush te tendat sepse të dielave panairi hapej më vonë. Siç thotë ai për Portalb.mk, kur ka arritur në vendngjarje ka qenë shumë vonë për të reaguar. Ai e ka paraqitur rastin në polici dhe ka pritur inspektorët.

Sipas tij, zjarri nuk ka shpërthyer si pasojë e instalimit të rrymës elektrike, por ka gjasa që shkaktarët të jenë të natyrës njerëzore.

“Ishte inspektorati, folëm diçka, zjarri nuk eshtë vënë prej elektrikes, prej rrymës. Zjarri erdhi si pasojë e reagimi të ndonjë personi, me dashje ose pa dashje me ndonjë cigare. Te librat është vënë zjarri, ato (inspektorati) tregojnë vetëm ku ka nisur të del tymi”, thotë për Portalb.mk, Asllani.

Sa janë dëmet?

“Ende jemi duke e bërë kalkulimin, por nga ajo që e pamë dëmi arrin deri në 10 mijë euro. Ka dhe libra që janë të dëmtuar nga uji, por mund të ketë interes nga një donator të mbulojë shpenzimet e dëmit të shkaktuar, ende nuk dihet” përfundon ai.

Zëdhënësi i policisë, Fatmir Rexhepi për Portalb.mk thotë se ende është herët për të ditur shkaqet e zjarrit.

“Nuk mund të japim asnjë konfirmim ka qenë rryma apo s’ka qenë rryma. Gjitha këto detajet çohen në ekspertizë, kryhet ekspertiza edhe jepet epilogu përfundimtar. Nëse do ketë diçka, sigurisht do ketë edhe kumtesë për publikun apo për mediumet”, deklaroi Rexhepi.

Të pyetur nga Portalb.mk, nga Prokuroria në Tetovë thanë shkurt se rasti është duke u hetuar.

Për ta shuar zjarrin u angazhuan katër zjarrfikës nga Brigada zjarrfikëse e Tetovës.