Shkupi në vendin e 100-të në botë për shërbimet digjitale lokale
Shkupi është renditur në vendin e 100-të në botë për zhvillimin e shërbimeve online në nivel lokal, sipas raportit më të ri të Kombeve të Bashkuara “E-Government Survey 2026”. Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut renditet dukshëm pas Beogradit, i cili është në vendin e 20-të, dhe Tiranës, që zë vendin e 65-të. Nga kryeqytetet e rajonit të përfshira në krahasim, vetëm Podgorica renditet pas Shkupit, në vendin e 105-të, shkruan Racin.mk, transmeton Portalb.mk.
Dallimet vërehen në Indeksin e Shërbimeve Lokale Online (LOSI), përmes të cilit Kombet e Bashkuara vlerësojnë zhvillimin e shërbimeve digjitale në nivel të qyteteve.
Beogradi ka indeks prej 0,9505, Tirana 0,7525, Shkupi 0,5743, ndërsa Podgorica 0,5446. Sipas këtyre rezultateve, Beogradi është 80 pozita para Shkupit, ndërsa Tirana 35 pozita më lart në renditjen botërore.
Indeksi LOSI mat zhvillimin e administratës digjitale në nivel lokal, duke përfshirë qasjen në informacione dhe shërbime elektronike, mundësitë për komunikim online me qytetarët dhe pjesëmarrjen e tyre përmes platformave digjitale në proceset lokale.
Rezultatet tregojnë se, ndonëse Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim në digjitalizimin e administratës në nivel shtetëror, Shkupi ka ende shumë hapësirë për përmirësimin e shërbimeve elektronike lokale, veçanërisht në krahasim me Beogradin dhe Tiranën.
Maqedonia e Veriut shënon përparim në nivel shtetëror, por vendet fqinje mbeten para saj
Në dallim nga renditja e kryeqyteteve, Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim në Indeksin e Zhvillimit të Qeverisjes Elektronike (EGDI) në nivel shtetëror.
Në raportin e vitit 2026, vendi renditet në pozitën e 68-të në botë, me indeks 0,7841. Në vitin 2024 ishte në vendin e 84-të, që paraqet përparim për 16 pozita.
Me këtë rezultat, Maqedonia e Veriut ka kaluar nga grupi i vendeve me nivel të lartë të zhvillimit të qeverisjes elektronike në grupin me nivel shumë të lartë, të njohur si “Very High EGDI”.
Megjithatë, krahasimi me vendet fqinje tregon se Maqedonia e Veriut vazhdon të renditet pas Serbisë dhe Shqipërisë. Serbia zë vendin e 22-të në botë, me indeks 0,9156, ndërsa Shqipëria renditet në vendin e 53-të, me indeks 0,8285. Mali i Zi ndodhet në vendin e 76-të, me indeks 0,7643.
Rezultatet për kryeqytetet tregojnë se përparimi në digjitalizimin e administratës në nivel shtetëror nuk nënkupton domosdoshmërisht zhvillim të njëjtë të shërbimeve online edhe në nivel lokal.
Raporti i Kombeve të Bashkuara vlerëson transformimin digjital të administratës publike, ndërsa indeksi LOSI mundëson krahasimin e zhvillimit të shërbimeve online në qytete të ndryshme të botës.