Nga zjarri në “8 Shtatori” u dogjën karrocat për persona me aftësi të kufizuara, nuk ka të lënduar
Zjarri që sot përfshiu një pjesë të spitalit “8 Shtatori” është shuar dhe nuk ka persona të lënduar, informuan nga Brigada e Zjarrfikësve – Shkup, transmeton Portalb.mk.
Sipas informacioneve, janë djegur karroca për persona me aftësi të kufizuara, të cilat ishin lënë në një dhomë të spitalit, ndërsa shkak i zjarrit ishte një bisht cigareje.
Pacientët në repart janë evakuuar me kohë dhe nga zjarri nuk ka persona të lënduar.
Edhe nga spitali konfirmuan se zjarri në ISHP Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori” është shuar dhe se të gjithë pacientët janë të sigurt.
“Sot, më 20 nëntor 2026, rreth orës 10:35, punonjësit në katin e parë të ISHP Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori” – Shkup kanë ndier erë tymi dhe kanë vërejtur tym që dilte nga tarraca e Repartit të Ortopedisë dhe Traumatologjisë, i cili ndodhet në katin e dytë. Menjëherë janë njoftuar udhëheqësi i repartit dhe ekipi për evakuim. Falë reagimit të shpejtë dhe të koordinuar të personelit, të gjithë pacientët nga reparti janë evakuuar në mënyrë parandaluese dhe të sigurt, si dhe u është ofruar kujdesi i nevojshëm. Zjarri është shuar me pajisjet kundër zjarrit të spitalit, ndërsa është thirrur edhe shërbimi i zjarrfikësve”, thonë nga Spitali.
Në vendin ku ka rënë zjarri, shtojnë ata, nuk ka instalime elektrike apo të gazit.
“Dëmi material është i papërfillshëm. Sipas informacioneve fillestare, zjarri mund të jetë shkaktuar nga një bisht cigareje. Shkaku i saktë dhe rrethanat e ngjarjes janë duke u hetuar. Të gjithë pacientët dhe punonjësit janë të sigurt, ndërsa spitali vazhdon punën e rregullt. Drejtoria e spitalit i falënderon punonjësit për reagimin e qetë dhe profesional, si dhe pacientët dhe familjarët e tyre për mirëkuptimin. Siguria e pacientëve dhe e punonjësve mbetet prioriteti ynë”, thonë nga Spitali.