SPB me detaje lidhur me krismat e mbrëmshme në Tetovë

Sektori për Punë të Brendshme Tetovë ka dalë sot me informata më të detajuara lidhur me krismat që ndodhën mbrëmë në këtë qytet. Nga SPB theksojnë se nuk ka prsona të lënduat, ndërsa janë shkaktuar disa dëme materiale, transmeton Portalb.mk.

“Më datë 11.04.2024 në ora 22.45 në SPB-Tetovë, M.T. nga Tetova ka raportuar se në drejtim të shtëpisë së tij në rrugën e “Ilindenit” në Tetovë, është qëlluar me armë zjarri nga një veturë “Volkswagen Polo” në lëvizje. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëmtime në derën e hyrjes dhe muret e shtëpisë”, thonë nga SPB.

Nga atje shtojnë se është kryer ekspertizë dhe pas masave të marra rreth orës 01.35 të datës 12.04.2024 në rrugën Tetovë- Kodra e Diellit automjeti është gjetur.

“Gjithashtu, pas marrjes së masave, është  konstatuar se paraprakisht është raportuar se rreth orës 22:30 nën kërcënim të armës së zjarrit është marrë vetura e tipit “Polo” me armë zjarri nga personi F.E. dhe babait të tij H.E.. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit, pas së cilës do të ngrihen kallëzimet përkatëse”, shtojnë nga SPB.

Mbrëmë në Tetovë në rrugën ‘Ilindenska’ afër rreth rrotullimit te Mema ka pasur gjuajtje me armë në drejtim të një shtëpie.

Në vend ngjarje arriti policia derisa rruga u bllokua plotësisht.

Sipas informatave jozyrtare, gjuajtja ka të bëjë me rastin e krismave që ndodhën fiks para tre muajve me 11 janar 2024 ku para Spitalit të Tetovës me armë zjarri u plagosën dy vëllezër, njëri prej të cilëve ndërroi jetë disa ditë më vonë. Policia aso kohe tha se për këtë rast janë të dyshuar pesë persona, katër prej të cilëve u arrestuan.

Kujtojmë që në fund të dhjetorit 2023 të shtëna u dëgjuan edhe në Çellopek të Tetovës ku pati vrasje të dyfishtë, baba e bir u vranë, ndërsa i plagosur mbeti edhe një person tjetër. Të tre ishin të afërm të vrasësit, sipas informacioneve shkaku i vrasjes ishte marrëdhënia e pazgjidhur pronësore familjare.