Krisma me armë në Tetovë, nuk ka të lënduar (Foto)

Mbrëmjen e sotme në Tetovë në rrugën ‘Ilindenska’ afër rreth rrotullimit te Mema ka pasur gjuajtje me armë në drejtim të një shtëpie, raporton Portalb.mk.

Sipas informative nga terreni nuk ka të lënduar, ndërsa autori i veprës është larguar nga vend ngjarja.

Në vend ngjarje ndodhet policia ndërsa rruga është e bllokuar.

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë informoi se në orën 22:45 minuta, personi M. T. nga Tetova, në SPB Tetovë ka raportuar se një person i panjohur ka shtënë me armë zjarri nga një veturë në lëvizje në shtëpinë e tij në Tetovë.

“Deri më tani nuk ka raportime për persona të lënduar. Po merren masa për zbardhjen e rastit”, informoi SPB Tetovë.

Sipas informatave jozyrtare, gjuajtja ka të bëjë me rastin e krismave që ndodhën fiks para tre muajve me 11 janar 2024 ku para Spitalit të Tetovës me armë zjarri u plagosën dy vëllezër, njëri prej të cilëve ndërroi jetë disa ditë më vonë. Policia aso kohe tha se për këtë rast janë të dyshuar pesë persona, katër prej të cilëve u arrestuan.

Kujtojmë që në fund të dhjetorit 2023 të shtëna u dëgjuan edhe në Çellopek të Tetovës ku pati vrasje të dyfishtë, baba e bir u vranë, ndërsa i plagosur mbeti edhe një person tjetër. Të tre ishin të afërm të vrasësit, sipas informacioneve shkaku i vrasjes ishte marrëdhënia e pazgjidhur pronësore familjare.