Debat publik për studimin e fizibilitetit për partneritetin publiko-privat për objekin e ri të Komunës së Tetovës: Opozita e braktisi sallën, Kasami thotë se projekti do vazhdojë
Këshilltarët e opozitës në Këshillin e Komunës së Tetovës e braktisën debatin publik i cili u mbajt sot për studimin e fizibilitetit për partneritetin publiko-privat për ndërtimin e një objekti të ri për komunën, studim ky i cili po përcillet me shumë bujë dhe akuza për keqpërdorime. Ata kërkuan tërheqjen e projektit dhe revizion të studimit. Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se komuna do të vijojë me këtë projekt dhe se do të shqyrtohen oferta të ndryshme, raporton Portalb.mk.
Debati publik u organizua pas kërkesave të këshilltarëve komunalë, ndërsa në të munguan përpiluesit e studimit. Mungesa e tyre u kritikua nga opozita, e cila vlerësoi se përpiluesit duhej të ishin të pranishëm për t’u përgjigjur pyetjeve dhe vërejtjeve për dokumentin.
Gjatë debatit u theksuan vërejtje të ndryshme lidhur me projektin. Gjatë debatit, një qytetar tha se parcela ku ndodhen zjarrfikësit ka qenë pronë e tyre private dhe se e njëjta para shumë vitesh u është marrë nga shteti, ai kërkoi që të shqyrtohet kjo çështje. Për këtë, kreu i komunës tha se nuk ka bazë juridike për të njëjtën që tu kthehet, por ka mundësi që komisioni të sjellë vendim që t’ua kompensojë.
Këshilltarët e AKI-së nuk u futën aspak të debat. Këshilltari Berat Murati e cilësoi debatin si formal dhe kërkoi revizion të plotë e të pavarur të studimit nga një kompani e specializuar. Ai propozoi që objekti administrativ të ndërtohet në hapësirën e Kazermës së Tetovës, si alternativë ndaj lokacionit aktual të zjarrfikësve.
Nga ana tjetër, Agron Arifi nga Më Mirë për Tetovën kërkoi që komuna të tërhiqet nga projekti. Ai tha se mungesa e përpiluesit të studimit dhe vërejtjet për kostot e paraqitura dëshmojnë, sipas tij, për mangësitë e dokumentit.
“Vlerat të cilat u përmendën në debatin publik, edhe nga ekspertë të ndërtimit, nuk përputhen me ato që janë në studimin e fizibilitetit”, tha Arifi, duke shtuar se nuk kundërshton investimet kapitale, por mënyrën e propozuar për realizimin e këtij projekti.
Edhe Arlind Murtezani nga Lidhja Shqiptare kritikoi mungesën e përpiluesit, ndërsa akuzoi këshilltarët e BDI-së për bojkot të debatit, ndonëse, sipas tij, kishin kërkuar mbajtjen e tij.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se projekti do të vazhdojë dhe se debati kishte për qëllim përmirësimin e studimit dhe gjetjen e zgjidhjeve më të favorshme për komunën.
“Patjetër që komuna do të vazhdojë me këtë projekt, ashtu siç ka vazhduar me të gjitha projektet të cilat janë në interes të Komunës së Tetovës”, deklaroi Kasami.
Ai sqaroi se 15% e hapësirës që parashihet t’i takojë komunës si kompensim për tokën është përqindja minimale dhe se pret oferta më të favorshme nga investitorët.
Kasami tha se ofertat do të vlerësohen sipas katër kritereve: përqindjes së kompensimit për tokën, çmimit të ndërtimit, afatit të pagesës dhe projektit ideor. Ai theksoi se komuna nuk ka kapacitet financiar ta realizojë vetë një investim të tillë.
Më 14 tetor, Komuna e Tetovës e propozoi miratimin e “Studimit të fizibilitetit për partneritet publiko-privat për ndërtimin e objektit administrativ komercial për Komunën e Tetovës”, i cili shkaktoi paqartësi të mëdha dhe ngriti dyshime për keqpërdorime financiare dhe dëm të interesit publik në favor të atij privat.
Projekti për objektin e ri administrativ-komercial ka vlerë të planifikuar prej rreth 28 milionë eurosh dhe planifikohet të realizohet në parcelën ku aktualisht ndodhet Njësia e Zjarrfikësve. Sipas alternativës së rekomanduar në studim, 60% e kompleksit do të destinohet për komunën dhe zjarrfikësit, ndërsa 40% për hapësira komerciale të investitorit privat.
Studimi ende është në procedurë shqyrtimi në Këshillin Komunal, për të cilin nuk është sjellë ende vendim.