Pawel Pawlikowski me filmin “Fatherland” dhe Javier Calvo e Javier Ambrossi me filmin “La Bola Negra” kryesojnë listën e nominimeve për “European Film Awards”, të njohura në botën e filmit si çmimet “Oscar” të Evropës, raporton Koha.net. Nominimet u shpallën të shtunën, në kuadër të Festivalit të Filmit në Selanik. Dy filmat nga Kosova – “Dua”, nën regji të Blerta Bashollit, dhe “Shame and Money”, nën regji të Visar Morinës, të përzgjedhur muajin e kaluar në listën e ngushtë – kanë mbetur jashtë nominimeve.
“Fatherland”, një dramë bardhezi që trajton marrëdhënien mes shkrimtarit Thomas Mann dhe vajzës së tij, Erikës, mori numrin më të madh të nominimeve, gjithsej 11. Mes tyre janë nominimet për filmin më të mirë evropian, regjisorin, skenaristin dhe montazhin për Pawlikowskin, ndërsa Henk Handloegten dhe Piotr Wojcik janë gjithashtu të nominuar në dy kategoritë e fundit.
Filmi, i prodhuar nga “Mubi”, u shfaq premierë në garën zyrtare të Festivalit të Filmit në Cannes në maj, ku Pawlikowski mori çmimin për regjinë më të mirë, së bashku me Calvon dhe Ambrossin. Filmi i këtyre të fundit, “La Bola Negra”, mori 10 nominime për EFA-n, përfshirë ato për filmin më të mirë evropian, regjinë dhe skenarin (së bashku me Alberto Conejeron). Filmi është një rrëfim epik mbi dashurinë queer në Spanjën e shekullit XX, i zhvilluar në tri periudha të ndryshme kohore dhe i frymëzuar nga vepra e fundit, e mbetur e papërfunduar, e dramaturgut Federico García Lorca.
Filmi “Fjord”, me regji të Cristian Mungiu, fituesit të “Palmës së Artë”, mori pesë nominime, përfshirë ato për filmin më të mirë evropian, regjisorin dhe skenarin. Lista e nominimeve është publikuar në uebfaqen zyrtare të EFA-s dhe në “Screen Daily”.
Në kategoritë e aktrimit, Sandra Hüller u nominua dy herë në kategorinë e aktores më të mirë evropiane, për rolet e saj në filmat “Fatherland” dhe “Rose”. Dy aktorët e filmit “Fjord”, Renate Reinsve dhe Sebastian Stan, u nominuan për aktoren dhe aktorin më të mirë evropian. Ndërkohë, çifti i njohur edhe në jetën reale, Penélope Cruz dhe Javier Bardem, u nominuan për rolet e tyre në filmat “Bunker” dhe “The Beloved”.
Në kategorinë e filmit më të mirë të animuar evropian janë nominuar “Lucy Lost”, i Olivier Clert, dhe “Viva Carmen”, i Sébastien Laudenbach. Ndërkaq, filmi “NAZA”, i Yuval Abraham dhe Rachel Szor, i prezantuar në Venecia, është ndër të nominuarit në kategorinë e dokumentarit më të mirë evropian.
Të pesë filmat e nominuar në kategoritë e animacionit dhe dokumentarit janë nominuar gjithashtu për filmin më të mirë evropian. Kjo ka bërë që disa prej filmave artistikë që konsideroheshin favoritë – si “Minotaur”, “Elsinore”, “Everytime” dhe “Gentle Monster” – të mos përfshiheshin në listën përfundimtare prej 15 filmash të nominuar në këtë kategori, megjithëse të gjithë morën nominime në kategori të tjera.
Aktorja palestineze Hiam Abbass, e cila jeton në Francë, është shpallur më herët fituese e çmimit të nderit për Arritje në Kinemanë Botërore Evropiane (European Achievement in World Cinema). Ndërkohë, ndër nominimet e shpallura më parë për Çmimin Evropian të Publikut të Ri (European Young Audience Award) përfshihet edhe filmi i animuar “Iron Boy”, me regji të Louis Clichy.
Nominimet janë përcaktuar me votat e 5 700 anëtarëve të Akademisë Evropiane të Filmit. Fituesit do të shpallen gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, e cila do të mbahet më 16 janar në Athinë të Greqisë.
Në edicionin e vitit 2025, filmi “Sentimental Value”, i Joachim Trier, kryesoi listën e fituesve, duke rrëmbyer gjashtë çmime, përfshirë atë për filmin më të mirë. Pas tij u rendit “Sirat”, i Oliver Laxe, i cili mori pesë çmime.
Fiks një muaj më parë, “Dua” dhe “Shame and Money”, u futen në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027, duke shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm për kinematografinë e Kosovës. Për një muaj, anëtarët e Akademisë Evropiane të Filmit, pjesë e së cilës janë edhe aktorë, regjisorë e producentë nga Kosova, kanë pasur kohë të votojnë për nominimet, që u shpallën të shtunën e 14 nëntorit. Në kategorinë e filmit artistik, në listën e ngushtë kanë qenë edhe 42 filma të tjerë
“Përzgjedhja e të dy filmave dëshmon praninë gjithnjë e më të spikatur të kineastëve nga Kosova në kinemanë evropiane”, kishte shkruar Qendra Kinematografike e Kosovës.
Sivjet, Kosova ka dy shanse për të garuar për çmimin më të madh në botën e kinematografisë, atë “Oscar”, pikërisht me filmat “Dua” dhe “Shame and Money”. I pari është kandidati zyrtar i vendit për këtë çmim, ndërsa i dyti ka siguruar rrugën drejt garës falë suksesit në Festivalin e Filmit Sundance dhe ndryshimeve në rregulloren e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit.
“Dua”, skenarin e së cilës e kanë shkruar Blerta Basholli dhe Nicole Borgeat, sjell në ekran një realitet të përjetuar nga shumë adoleshentë, të cilët u rritën në Kosovën e viteve ’90, mes pasigurive dhe sfidave të asaj periudhe.
Ndërkaq, “Shame and Money”, me skenar të Visar Morinës dhe Doruntina Bashës, rrëfen historinë e një familjeje kosovare, e cila detyrohet të shpërngulet nga fshati në kryeqytet, në kërkim të një vendi dhe të një jete më të mirë në një shoqëri të dominuar nga logjika kapitaliste.
Vitin e kaluar “Mua besoj më shpëtoi portreti” i Alban Mujës qe në listë të ngushtë në kategorinë e filmit të shkurtër. Në atë që konsiderohet si “Oscari” i Evropës, “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda në vitin 2021 u nominua bashkë me katër filma të tjerë për Çmimin për filmin më të mirë të shkurtër evropian. Kandidat qe edhe me “Në mes” më 2019. Më 2016, aty qe i nominuar “Home” i Daniel Mulloyt, një bashkëprodhim midis Kosovës dhe Britanisë së Madhe.
Themelimi i Akademisë Evropiane të Filmit ishte iniciativa e një grupi kineastësh të Evropës, të mbledhur së bashku me rastin e ceremonisë së parë të “Çmimit të Filmit Evropian” të mbajtur në nëntor 1988. Akademia Evropiane e Filmit u themelua përfundimisht në vitin 1989 si Shoqëria Evropiane e Kinemasë nga presidenti i parë, regjisori suedez Ingmar Bergman. Akademia ka për qëllim t’i bashkojë të gjithë ata që e duan kinemanë evropiane, duke kulmuar çdo vit në Muajin e Filmit Evropian dhe Çmimet e Filmit Evropian, si dhe me hapjen e Klubit të Filmit Evropian në vjeshtën e 2023-tës.
Vitin që vjen mbahet edicioni i 39-të i “European Films Awards”.
Lista e plotë e nominimeve për “European Film Awards”
Filmi më i mirë evropian
“Fatherland” – film artistik
Regjia: Pawel Pawlikowski
“Fjord” – film artistik
Regjia: Cristian Mungiu
“In Waves” – film i animuar
Regjia: Phuong Mai Nguyen
“Iron Boy” (Francë–Belgjikë) – film i animuar
Regjia: Louis Clichy
“Jim Queen” – film i animuar
Regjia: Marco Nguyen, Nicolas Athane
“La Bola Negra” – film artistik
Regjia: Javier Calvo, Javier Ambrossi
“La Gradiva” – film artistik
Regjia: Marine Atlan
“Letters from the Silenced Country” – dokumentar
Regjia: Andrei Kutsila
“Lucy Lost” – film i animuar
Regjia: Olivier Clert
“NAZA” – dokumentar
Regjia: Yuval Abraham, Rachel Szor
“Rehearsals for a Revolution” – dokumentar
Regjia: Pegah Ahangarani
“To Hold a Mountain” – dokumentar
Regjia: Biljana Tutorov, Petar Glomazic
“Viva Carmen” – film i animuar
Regjia: Sébastien Laudenbach
“Whispers in the Woods” – dokumentar
Regjia: Vincent Munier
“Woman Unknown” – film artistik
Regjia: May el-Toukhy
Filmi i animuar evropian
“In Waves”
Regjia: Phuong Mai Nguyen
“Iron Boy”
Regjia: Louis Clichy
“Jim Queen”
Regjia: Marco Nguyen, Nicolas Athane
“Lucy Lost”
Regjia: Olivier Clert
“Viva Carmen”
Regjia: Sébastien Laudenbach
Dokumentari evropian
“Letters from the Silenced Country”
Regjia: Andrei Kutsila
“NAZA”
Regjia: Yuval Abraham, Rachel Szor
“Rehearsals for a Revolution”
Regjia: Pegah Ahangarani
“To Hold a Mountain”
Regjia: Biljana Tutorov, Petar Glomazic
“Whispers in the Woods”
Regjia: Vincent Munier
Regjisori evropian
Javier Calvo dhe Javier Ambrossi – “La Bola Negra”
Cristian Mungiu – “Fjord”
Paweł Pawlikowski – “Fatherland”
Sandra Wollner – “Everytime”
Andrey Zvyagintsev – “Minotaur”
Skenaristi evropian
Javier Calvo, Javier Ambrossi dhe Alberto Conejero – “La Bola Negra”
Cristian Mungiu – “Fjord”
Pawel Pawlikowski dhe Henk Handloegten – “Fatherland”
Sandra Wollner – “Everytime”
Simon Liashenko dhe Andrey Zvyagintsev – “Minotaur”
Aktorja evropiane
Mathilde Arcel – “Woman Unknown”
Penélope Cruz – “Bunker”
Sandra Hüller – “Fatherland”
Sandra Hüller – “Rose”
Renate Reinsve – “Fjord”
Léa Seydoux – “Gentle Monster”
Aktori evropian
Swann Arlaud – “A Man of His Time”
Javier Bardem – “The Beloved”
Andrew Scott – “Elsinore”
Sebastian Stan – “Fjord”
Hanns Zischler – “Fatherland”
Drejtori i kastit
Nina Haun, Magdalena Szwarcbart dhe Karen Lindsay Stewart – “Fatherland”
Eva Leira dhe Yolanda Serrano – “La Bola Negra”
Jessica Ronane – “Elsinore”
Kinematografi evropian
Gris Jordana – “La Bola Negra”
Frank van den Eeden – “Coward”
Lukasz Zal – “Fatherland”
Kompozitori evropian – Muzika origjinale
Volker Bertelmann – “Bunker”
Tara Nome Doyle – “Rose”
Alberto Iglesias – “Bitter Christmas”
Kostumografia evropiane
Doris Bartelt – “Rose”
Ana Lopez Cobos – “La Bola Negra”
Rebecca Richmond dhe Julija Volkinsteine – “Woman Unknown”
Montazhi
Alberto Gutierrez – “La Bola Negra”
Gesa Jager – “Yellow Letters”
Pawel Pawlikowski dhe Piotr Wojcik – “Fatherland”
Grimi dhe stilimi i flokëve
Pablo Morillas dhe Marilo Osuna – “La Bola Negra”
Evalotte Oosterop dhe Pierre Olivier Persin – “Coward”
Waldemar Pokromski – “Fatherland”
Dizajni i skenografisë
Roger Belles – “La Bola Negra”
Olivier Meidinger – “Rose”
Katarzyna Sobańska dhe Marcel Slawinski – “Fatherland”
Zërimi
Robert Farr, Lars Ginzel dhe Benjamin Horbe – “NAZA”
Lars Ginzel dhe Tarn Willers – “Fatherland”
Rodrigo Madrigal, Anna Harrington, Alejandro Lopez dhe Mayte Cazorla – “La Bola Negra”
European Discovery – Prix FIPRESCI
“17” – Kosara Mitić
“At Night” – Beatrice Gibson
“Cute” – Marlene Emilie Lyngstad
“Flesh & Fuel” – Pierre Le Gall
“The Guest” – Mads Mengel
“Thirteen In Gaza” – Hosam Abu Dan
Çmimi Evropian i Publikut të Ri
“Hold Onto Me” – Myrsini Aristidou
“I Matter” – Alina Serban
“Iron Boy” – Louis Clichy