Ndërroi jetë njëri nga vëllezërit e plagosur me pistoletë në Spitalin e Tetovës

Ndërroi jetë 41 vjeçari A.M. nga fshati Gajre, i cili para 10 ditëve u plagos sëbashku me vëllain e tij 36 vjeçar para Spitalit Klinik në Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Policia më 11 janar njoftoi se rreth orës 18:05 në Sektorin për Punë të Brendshme Tetovë është raportuar se para hyrjes në Qendrën Urgjente në Spitalin Klinik të Tetovës janë qëlluar me armë zjarri dy persona nga fshati Gajre i Tetovës, të cilët kanë pësuar lëndime me armë zjarri.

Të plagosurit, vëllezërit A.M. 41 vjeçar dhe Z.M. 36 vjeçar u dërguan në Klinikën Universitare për Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intenziv (KUARM) në Shkup, ku edhe vëllai i madh A.M. sot ndërroi jetë.

Nga SPB Tetovë bëjnë të ditur se në mbrëmje pas të shtënave janë ndaluar katër persona të cilët dyshohet se janë përfshirë në incidentin e armatosur, R.T., 35 vjeçar, M.T. 44 vjeçar, si dhe 55 vjeçaren S.E. dhe 39 vjeçarin N.M.

Zyrtarët policorë, siç thonë nga SVR Tetovë, janë në kërkim të një personi tjetër i cili dyshohet se është i përfshirë në incident.