Krisma me armë para Spitalit të Tetovës, dy të plagosur

Dy persona u plagosën me armë zjarri para Spitalit të Tetovës, kryerësit dyshohet se janë pesë persona, raporton Portalb.mk.

Policia njoftoi se sot (11 janar) rreth orës 18:05 në Sektorin për Punë të Brendshme Tetovë është raportuar se para hyrjes në Qendrën Urgjente në Spitalin Klinik të Tetovës janë qëlluar me armë zjarri dy persona nga fshati Gajre i Tetovës, të cilët kanë pësuar lëndime me armë zjarri.

“Shërbimet e SPB Tetovë dhe prokurori publik janë në vendngjarje dhe po ndërmerren masa për gjetjen e pesë personave të dyshuar në lidhje me rastin”, informoi SPB Tetovë.

Ata theksojnë se këtij rasti sot i ka paraprirë edhe një përleshje fizike mes njërit prej të plagosurve dhe njërit prej të dyshuarve për pjesëmarrje në të shtëna me armë zjarri.

Ata shtojnë se rasti është duke u zbardhur.

Nga ana tjetër, mjeku Boban Vuçevski nga Spitali i Tetovës në një deklaratë për media theksoi se dy të lënduarit, njëri nga të cilët është në gjendje më të rrëndë, janë dërguar në klinikën e Shkupit.

Vuçevski njoftoi gjithashtu se nuk ka personel mjekësor të lënduar.

Spitali i Tetovës (11 janar 2024) pas të shtënave me armë. Foto: Senat Zylbeari
Spitali i Tetovës (11 janar 2024) pas të shtënave me armë. Foto: Senat Zylbeari

Kujtojmë që në fund të dhjetorit 2023 të shtëna u dëgjuan edhe në Çellopek të Tetovës ku pati vrasje të dyfishtë, baba e bir u vranë, ndërsa i plagosur mbeti edhe një person tjetër. Të tre ishin të afërm të vrasësit, sipas informacioneve shkaku i vrasjes ishte marrëdhënia e pazgjidhur pronësore familjare.