Katër të arrestuar lidhur me plagosjet në Tetovë, njëri ende lufton për jetën

Lidhur me plagosjet e mbrëmshme në Tetovë janë arrestuar katër persona, njoftoi SPB Tetovë. Dje në ora 23:10 në Tetovë, zyrtarë policorë të SPB-Tetovë kanë privuar nga liria personat R.T. (35) dhe M.T.(44) nga Tetova, ndërsa më herët edhe 55-vjeçaren Sh. E. dhe personin N.M.(39) nga Tetova për shkak të dyshimit për përfshirje në të shtënat e djeshme (11 janar) me armë zjarri para Qendrës Emergjente të Spitalit Klinik të Tetovës, e cila ka ndodhur rreth orës 18:05, ku lëndime të rënda trupore kanë pësuar dy persona A.M.(41) dhe Z.M.(36) nga fshati Gajre e Tetovës. Po merren masa për gjetjen e një personi tjetër, transmeton Portalb.mk.

Prokurori publik dhe një ekip nga SPB-Tetovë kanë kryer këqyrje të plotë në vendin e ngjarjes dhe punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit, pas së cilës ndaj personave të përfshirë në këtë rast do të vijojnë kallëzime përkatëse.

Mexhiti: Rasti nuk ka lidhje me shëndetësinë

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, pohon se të shtënat e djeshme në afërsi të Qendrës Klinike në Tetovë, nuk kanë të bëjnë me shëndetësinë.

“Në Tetovë dy grupe kishin probleme të pazgjidhura. Ata ndodheshin në oborrin e spitalit. Siç e di, të dy janë transferuar në Shkup, njëri në gjendje më të rëndë, tjetri në gjendje më të lehtë. Ata janë në KARIL. Nuk ka lidhje me shëndetësinë”, thotë Mexhiti.

Ai pret zbardhjen e rastit nga MPB.

Nga Klinika e Shkupit njoftuan se njëri prej tyre i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në kraharor dhe abdominal dhe ndodhet në gjendje të rëndë të përgjithshme. Tjetri është në gjendje stabile.

Mbrëmë gjatë një përleshjeje në Spitalin e Tetovës, dy persona u plagosën me armë zjarri.

Rasti i ka paraprirë edhe një përleshje fizike mes njërit prej të plagosurve dhe njërit prej të dyshuarve për pjesëmarrje në të shtëna me armë zjarri.

Nga ana tjetër, mjeku Boban Vuçevski nga Spitali i Tetovës në një deklaratë për media theksoi se dy të lënduarit, njëri nga të cilët është në gjendje më të rëndë, janë dërguar në klinikën e Shkupit.

Vuçevski njoftoi gjithashtu se nuk ka personel mjekësor të lënduar.

Kujtojmë që në fund të dhjetorit 2023 të shtëna u dëgjuan edhe në Çellopek të Tetovës ku pati vrasje të dyfishtë, baba e bir u vranë, ndërsa i plagosur mbeti edhe një person tjetër. Të tre ishin të afërm të vrasësit, sipas informacioneve shkaku i vrasjes ishte marrëdhënia e pazgjidhur pronësore familjare.