SHBA-ja pret që Maqedonia e Veriut të ruajë frymën e Marrëveshjes së Prespës

Presim që Maqedonia e Veriut të ruajë frymën e marrëveshjes së Prespës dhe diskursi publik të bazohet në fakte, deklaroi Departamenti i Shtetit për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

“Ashtu si Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj Marrëveshjes së Prespës, ne presim që Maqedonia e Veriut ta ruajë këtë frymë dhe diskursi publik të mbetet i bazuar në fakte dhe i rrënjosur në një përkushtim për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut në BE,” tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i pyetur nëse SHBA-të janë të shqetësuara për cenimin e mundshëm të marrëveshjes së Prespës.

Para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe parlamentare në vend, mediat greke shkruajnë se Athina po monitoron nga afër deklaratat politike lidhur me Marrëveshjen e Prespës dhe përdorimin e emrit Maqedoni në fushatën zgjedhore të disa kandidatëve.

Fushata zgjedhore në vend shkaktoi interesim në opinionin grek, para së gjithash, për shkak të disa deklaratave të liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, për Marrëveshjen e Prespës dhe emrin e vendit. Gazeta greke “Kathimerini” i ka kushtuar një tekst duelit Mickoski me liderin e LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, i cili ndodhi një javë më parë në TV Kanal 5.

“Lideri i partisë kryesore opozitare në Maqedoninë e Veriut tha se nëse zgjidhet kryeministër, ai do ta quajë vendin vetëm si ‘Maqedoni’, pavarësisht nga marrëveshja e Prespës 2018 që zgjidhi mosmarrëveshjen me Greqinë për emrin e vendit”, ka shkruar Kathimerini”.

Sipas gazetës greke, gjatë debatit televiziv, Dimitar Kovaçevski, lider i Lidhjes Social Demokrate (LSDM) në pushtet shprehu shqetësimin për refuzimin e liderit të partisë VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, për të përdorur emri kushtetues.

“Kovaçevski tha se ky refuzim mund të shkaktojë probleme me marrëveshjen e Prespës të vitit 2018, me të cilën, me mbështetjen e OKB-së, emri i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë u ndryshua në Maqedoninë e Veriut”, raportojnë mediat greke.

Në vitin 2021, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që parashikonte ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, kujton Zëri  i Amerikës në gjuhën maqedonase.

“Ata që janë përgjegjës ose janë të përfshirë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në një shkelje ose në një veprim që pengon ose kërcënon zbatimin e çdo marrëveshjeje rajonale të sigurisë, paqes ose bashkëpunimit, ose marrëveshjes kornizë në lidhje me Ballkanin Perëndimor, përfshirë Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018, Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001”, thuhet në urdhrin ekzekutiv të Bidenit.

Më pas Departamenti i Shtetit sqaroi se urdhri ekzekutiv nuk vlen vetëm për personat në vendet e Ballkanit Perëndimorkërcënojnë marrëveshjen e Prespës, por edhe në vende të tjera.

Kjo erdhi si përgjigje e pyetjes së Zërit të Amerikës në gjuhën maqedonase, nëse administrata e Bidenit planifikon t’i shtrijë sanksionet edhe Greqisë, e cila është nënshkruese e Marrëveshjes së Prespës.

“Urdhri Ekzekutiv 14033 autorizon sanksione kundër atyre që minojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, kudo që të jenë, me kusht që të përmbushin kriteret përkatëse të shënjestrimit”.

Pas urdhrit ekzekutiv të Bidenit, partia opozitare VMRO-DPMNE përmes një komunikate me shkrim tha se nuk ka marrë pjesë në negociatat dhe nxjerrjen e Marrëveshjes së Prespës në Kuvend dhe se është në kundërshtim me interesat kombëtare maqedonase.