Spasovski për vrasjen e Vanjës: Ky është rast i izoluar, siguria publike nuk është e kërcënuar

Në konferencën e sotme për media, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, duke iu përgjigjur pyetjeve se a është e kërcënuar siguria publike, theksoi se ky është rast i izoluar, incident që ka pasur organizatorë dhe ka pasur qëllimin përfundimtar – zhvatjen e parave, transmeton Portalb.mk.

“Kjo nuk ka të bëjë me sigurinë publike në përgjithësi”, tha Spasovski.

Ai ka theksuar se, sipas informacioneve të MPB-së, vajza është rrëmbyer brenda në hyrje të pallatit ku banonte, pasi paraprakisht ishin marrë informacione se kur po largohej dhe se po dilte e vetme.

“Është krejtësisht ndryshe nga ajo që nënkuptohet apo që kemi dëgjuar këto ditë dhe mbrëmë se për shkak të Samitit të OSBE-së nuk është vepruar fare për kërkimin e vajzës dhe se për shkak të atij aktiviteti rreth organizimit të Samitit, nuk është bërë njoftim publik. Është gënjeshtër absolute, marrëzi absolute, sepse askush, as unë si person, as askush në polici, as Prokuroria Publike nuk mund dhe nuk do të lejojë që diçka e tillë të ndalet për shkak të mbajtjes së një ngjarjeje të caktuar”, tha Spasovski.

Siç sqaroi ministri i Punëve të Brendshme, Departamenti për mbrojtjen e personave dhe objekteve të caktuara ishte përgjegjës për organizimin e Samitit, ndërsa Departamenti i Policisë kundër Krimit SPB Shkup ishte përgjegjës për hetimin e vrasjes.

“Këto janë dy Departamentet që punojnë – në një ngjarje për ruajtjen e sigurisë dhe paralelisht më shumë se 100 policë kanë punuar intensivisht që nga momenti i parë i raportimit e deri më tani, dhe vazhdojnë të punojnë”, theksoi ministri i Punëve të Brendshme Spasovski. 

Lidhur me vrasjen e Pançe Zhezovskit nga Velesi, Spasovski ka shpjeguar se nga momenti kur ai u raportua i zhdukur më 22 nëntor, janë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet, njësoj si në rastin e 27 nëntorit, kur u rrëmbye Vanja.

“Fillimisht nuk ka pasur fare korrelacion mes këtyre dy rasteve të raportimit. Pra, më 27 nëntor, kur u raportua për zhdukjen e vajzës, kishim dy denoncime, një me telefon nga nëna, një në Stacionin Policor Qendër në orën 11:00 nga babai. Megjithatë, bastisja filloi menjëherë pas kallëzimit të parë, i cili u mor diku rreth orës 08:30 dhe filloi kërkimi për personin”, tha Spasovski, duke shtuar se paralelisht janë ndërmarrë një sërë masash dhe aktivitetesh kriminale në Shkup dhe Veles.

Kujtojmë se vanja u vra më 27 nëntor, ditën që u rrëmbye. I përfshirë në rrëmbimin e Vanja Gjorçevskës ishte edhe babai i saj, i cili ka dhënë informacione për kohën se kur Vanja largohet vetëm nga shtëpia. 14-vjeçarja u rrëmbye për të zhvatur para nga nëna e saj dhe menjëherë pas kësaj u vra me armë. Vrasësi e vrau sepse kishte frikë nga provat që policia mund t’i gjente në hetimin e filluar pas kallëzimit, tha sot në mëngjes ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së. Më 29 nëntor Interpoli shpalli fletë-arrest ndërkombëtar. Të premten mbrëma u arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjeti që besohet të kenë lidhje me zhdukjen e Vanjës. Më pas, Prokuroria Publike njoftoi se është caktuar paraburgim prej 48 orës për tre persona.