Vdiq ekzekutuesi i masakrës në Krakov

Ekzekutuesi i sulmit të së shtunës në Krakov, ku humbën jetën gjashtë persona dhe u plagosën 15 të tjerë, ka ndërruar jetë sot në spital. 24-vjeçari polak ishte plagosur rëndë gjatë ndërhyrjes së policisë, njoftuan autoritetet policore, shkruan Associated Press.

“Ju njoftojmë se ekzekutuesi i ngjarjeve tragjike ka ndërruar jetë këtë mëngjes në spital“, njoftoi në rrjetin social X policia e Voivodisë së Polonisë së Vogël, qendra administrative e së cilës është Krakov, një nga destinacionet më të njohura turistike të Polonisë.

Mediat polake e identifikuan atë me emrin Mihal dhe inicialin e mbiemrit O.

Ai dyshohet se ka vrarë gjithsej nëntë persona, pasi në shtëpinë e familjes, rreth dy orë larg vendit ku ndodhi të shtënat, u gjetën trupat e prindërve dhe motrës së tij, me plagë nga armë zjarri.

I veshur me uniformë ushtarake, me maskë dhe helmetë në kokë dhe i armatosur me një pushkë gjysmëautomatike, ai hapi zjarr nga automjeti i tij ndaj kalimtarëve pranë një sheshi në pjesën e vjetër të Krakovit.

Gjashtë persona, mes tyre një shtetas britanik dhe një shtetase austriake, humbën jetën. Edhe 15 persona të tjerë u plagosën, mes tyre pesë shtetas të huaj.

Policia ndërhyri brenda pak minutash. Më pas, policia u vu në ndjekje të sulmuesit, i cili drejtonte një automjet të zi të markës “Subaru“.

Në një kryqëzim, ai u përplas me një automjet të ndaluar. Më pas doli nga makina dhe shkëmbeu zjarr me dy policë, duke i plagosur të dy.

Sipas deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, sulmuesi ishte i fascinuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë.

Është nisur hetim për vepër penale me elemente terroriste.