KE: Shoqëria civile në RMV me financim të pasigurt dhe përfshirje të kufizuar në vendimmarrje, aktivistët përballen me presione
Financimi i kufizuar dhe i pasigurt, përfshirja e pamjaftueshme në hartimin e politikave publike, si dhe kërcënimet dhe fushatat diskredituese vazhdojnë të jenë ndër problemet kryesore me të cilat përballet shoqëria civile në Maqedoninë e Veriut. Komisioni Evropian (KE), në Raportin e Progresit për vitin 2026, vlerëson se pavarësisht disa zhvillimeve pozitive në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe organizatave qytetare, ende nevojiten reforma për të garantuar pjesëmarrjen e tyre reale në vendimmarrje, shkruan Portalb.mk.
Një nga shqetësimet kryesore që evidenton Komisioni Evropian është mungesa e financimit të qëndrueshëm për organizatat e shoqërisë civile.
“Financimi vazhdon të jetë dobësi strukturore. Mbështetja shtetërore është e kufizuar, ndërsa donacionet e huaja janë bërë të pasigurta, gjë që ndikon drejtpërdrejt në dobësimin e shërbimeve që ofrojnë organizatat e shoqërisë civile dhe të kapaciteteve të tyre për avokim”, thuhet në raport.
Për tejkalimin e kësaj gjendjeje, KE-ja kërkon diversifikimin e burimeve financiare dhe vendosjen e standardeve transparente për shpërndarjen e fondeve publike.
Në këtë drejtim, theksohet rëndësia e zbatimit të Strategjisë për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile, përfshirë reformat për donacionet, sponsorizimet dhe ndërmarrësinë sociale, si dhe krijimin e një fondi për bashkëfinancimin e projekteve të Bashkimit Evropian.
Një tjetër problem mbetet përfshirja e organizatave qytetare në proceset vendimmarrëse. Edhe pse ekziston korniza ligjore për pjesëmarrjen e tyre dhe janë ndërmarrë hapa drejt një dialogu më të hapur, konsultimet me shoqërinë civile nuk zhvillohen në mënyrë të mjaftueshme në të gjitha fushat, përfshirë procesin e integrimit evropian.
Komisioni kërkon forcimin e rolit të organizatave në Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian dhe Këshillin për Partneritet për Qeverisje të Hapur. Si zhvillime pozitive përmenden riaktivizimi i Këshillit për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile, si dhe funksionimi i Regjistrit të Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve (ENER), përmes të cilit zhvillohen konsultimet publike.
Megjithatë, ekzistenca e këtyre mekanizmave nuk ka siguruar ende pjesëmarrje të mirëfilltë të organizatave në hartimin e politikave.
“Në përgjithësi, mosrespektimi i detyrimeve për publikimin e informacioneve, reagimi i kufizuar ndaj komenteve dhe përfshirja e fragmentuar vazhdojnë ta pengojnë pjesëmarrjen kuptimplote të shoqërisë civile dhe nuk i përmbushin standardet e Kodit të Praktikave të Mira për Përfshirjen e Palëve të Interesuara”, thekson KE-ja.
Raporti evidenton se Këshilli për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile ka miratuar programin e punës për vitin 2026, ndërsa po punohet që rregullat për mbështetjen financiare të organizatave të shndërrohen në një akt ligjërisht të detyrueshëm. Sidoqoftë, ende mungon një strategji komunikimi dhe një plan veprimi për përmirësimin e bashkëpunimit dhe informimit të organizatave qytetare.
Në aspektin ligjor, është përgatitur edhe një ligj i ri për shoqatat dhe fondacionet përmes një procesi konsultativ, i cili pritet t’i dorëzohet Komisionit të Venecias për mendim.
Përveç vështirësive financiare dhe institucionale, Komisioni Evropian ngre shqetësime edhe për sigurinë dhe hapsirën e veprimit të organizatave qytetare dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut.
“Shkeljet e raportuara kanë përfshirë kryesisht sulme verbale, kërcënime në rrjetet sociale, fushata publike për diskreditim dhe presione ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht ndaj atyre që punojnë në luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirinë e mediave dhe të drejtat e personave që u përkasin pakicave”, thuhet në raport.
Në këtë kontekst, KE-ja kërkon forcimin e legjislacionit dhe kapaciteteve institucionale për trajtimin e gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes. Autoritetet vazhdojnë të mos kenë një sistem të mirëfilltë për mbledhjen e të dhënave për këto raste, ndërsa monitorimi dhe dokumentimi kryhen në mënyrë të pavarur nga organizatat qytetare.
Përndryshe, Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.
- Lexo gjetjet e raportit të vitit të kaluar për shoqërinë civile: Raporti i Brukselit: Përmirësim në letër, por bashkëpunimi me shoqërinë civile mbetet vetëm fasadë