Protestë kundër vrasjes së grave, dhunës institucionale dhe mosndëshkimit të dielën në Shkup

Iniciativa joformale “Asnjë më shumë!” ka paralajmëruar protestë kundër femicideve, dhunës institucionale dhe mosndëshkimit, e cila do të mbahet të dielën (8 nëntor), duke filluar nga ora 12:00, në parkun “Gruaja Luftëtare” në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Protesta vjen pas rastit të fundit të femicidit në Bogdanci, ku 17-vjeçarja Biljana Kiriq u vra nga partneri i saj. Sipas organizatorëve, ky rast dëshmoi sërish mosveprimin institucional, mungesën e profesionalizmit, reagimet e vonuara dhe mungesën e mbrojtjes për gratë dhe vajzat në vend.

“Biljana ishte një vajzë 17-vjeçare. Ajo kishte denoncuar dhunën dhe kërcënimet për jetën e saj. Ishin shqiptuar masa mbrojtëse. Sot ajo është e vdekur”, thuhet në thirrjen për protestë.

Organizatorët theksojnë se pas çdo femicidi institucionet japin të njëjtat premtime dhe arsyetime, ndërsa vrasjet e grave vazhdojnë. Ata kundërshtojnë që mosveprimi institucional të normalizohet dhe vrasjet e grave të trajtohen si tragjedi të izoluara apo drama dashurie.

Marshi protestues do të nisë nga parku “Gruaja Luftëtare”, do të vazhdojë pranë Kuvendit dhe Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa do të përfundojë para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Organizatorët kanë paraqitur katër kërkesa kryesore:

  • Hetim të plotë dhe transparent për vrasjen e Biljanës dhe përgjegjësi për çdo lëshim institucional, me sqarimin se kush ka vepruar, kush nuk ka vepruar dhe pse ka munguar mbrojtja.

  • Dorëzim urgjent të ndryshimeve të paketës së ligjeve dhe miratim të ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, të cilat janë dorëzuar në Kuvend në gusht.

  • Rikthimin urgjent të konceptit të gjinisë në të gjitha ligjet, udhëzimet dhe programet nga të cilat është hequr.

  • Shkarkimin nga funksionet publike dhe pozitat drejtuese të të gjithë atyre që bëjnë thirrje për kontroll mbi gratë, ose arsyetojnë dhe normalizojnë dhunën ndaj tyre.

“Nuk kërkojmë ngushëllim. Kërkojmë përgjegjësi”, theksojnë organizatorët.

Iniciativa “Asnjë më shumë!” ka bërë të ditur se protesta është qytetare dhe nuk është hapësirë për promovim partiak. Përfaqësuesit partiakë, simbolet, flamujt dhe paraqitjet partiake nuk janë të mirëseardhura në protestë.