Artisti nga Prishtina, Eshref Qahili, vjen nesër në Shkup me ekspozitën “Muzeu i Fëmijërisë”

Nesër, më 5 dhjetor në ora 19:00, në Çifte Hamam, në Shkup do të hapet ekspozita e titulluar “Muzeu i Fëmijërisë” nga artisti nga Prishtina, Eshref Qahili, shkruan Portalb.mk.

Artisti dhe profesori i artit nga Prishtina, Eshref Qahili vjen në Maqedoninë e Veriut me një ekspozitë personale të titulluar “Muzeu i Fëmijërisë” që përfshin tridhjetë punime vaj në pëlhurë dhe teknikë të kombinuar. Ky projekt realizohet në kuadër të shkëmbimit kulturor bilateral ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Ekspozita “Muzeu i Fëmijërisë” në skenën e artit do të jetë e hapur për publikun deri më 18 dhjetor 2023.

Artisti nërpërmjet kësaj ekspozite udhëzon publikun nëpërmjet ngjarjeve të përditshme të jetës duke filluar nga fëmijëria e hershme dhe rinia e deri në moshë madhore. Përmes elementeve të shprehjes eksplicite të përvojave, ai tregon për takimet me kryeqytetet botërore të artit dhe seancat me artistët nga rajoni, ku ata shkëmbyen shumë mendime dhe përvoja krijuese.

Në pikturën e tij, artisti Qahili kërkon të paraqesë zakonet e jetës së përditshme në dritën e toneve të zgjedhura. Nëpërmjet vizatimit të saktë dhe të qartë dhe temës dramatike, ne njohim kohën në të cilën ai jeton dhe mënyrën se si e përjeton atë.

“Veprat e Qahilit janë shumë të afërta me pikturat paleolitike, magdalenase, të cilat, përmes vijës dhe vizatimit, kapin shprehjet e gjuetisë, duke na paraqitur kafshët, enët, armët e përdorura nga njerëzit e atëhershëm. Në to, Qahili përmes të kaluarës pasqyron të tashmen, dhe na çon në të ardhmen përmes pikëpamjes së tij krijuese me shpërthim artistik. Në vepra mbizotëron gjeometria, skematizmi dhe paraqitja figurative shkrihet në simbole dhe shenja të ndryshme të koncepteve fetare”, thuhet në njoftimin e Galerisë Nacionale të Maqedonisë së Veriut.

Ekspozita “Muzeu i Fëmijërisë” numëron gjithsej 30 piktura të cilat janë të grupuara në cikle Nëpërmjet ciklit të pikturave “Muzeu i Fëmijërisë” Eshref Qahili na çon nëpër fushat e futbollit të lojës të dominuara nga linja si një masë dhe shfaqje e përsosur e mbledhjes së organizuar selektive.

Një nga ciklet e paraqitura tregon momentet e vjeljes së frutave nga natyra, të përziera në kanavacë në një mënyrë ekspresioniste.

Në ciklin “Imazhi i paharrueshëm”, na paraqitet një botë peizazhesh me segmente shumë-shtresore të jetës bimore, përfshirë pjesë të botës nënujore, ku konturimi është detaji më i rëndësishëm.

Në hapjen e ekspozitës do të merr fjalë edhe drejtoresha e Galerisë Nacionale Dr.Dita Starova Qerimi dhe profesori Reshat Ameti, anëtar i Bordit drejtues të Galerisë Nacionale.