Shqetësuese është shfrytëzimi i flamurit evropian kur nuk është në përputhje me rregullativën evropiane, deklaroi Gir

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Dejvid Gir, sot ka reaguar duke theksuar që vendi nuk duhet të shfrytëzon sistemin e “flamurit evropian” gjatë miratimit të ligjeve në Kuvend, në rastet kur miratohen zgjidhje ligjore që nuk janë në përputhje me rregullativën e Bashkimit Evropian, transmeton Portalb.mk.

Ai theksoi që sistemin i “flamurit evropian” gjatë miratimit të ligjeve në Kuvend është dizajnuar të shfrytëzohet kur duhet të miratohet ndonjë ligj për harmonizimin e vendit me standardet evropiane, me qëllim që mos të humbet shumë kohë me miratimin e ligjeve.

“Ajo që nuk mund ta bëni është të shfrytëzoni flamurin evropian kur keni ligje që nuk janë në përputhje me rregullativën evropiane ose kur keni procedura ose probleme në Kuvend”, deklaroi Gir.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Ndërkohë, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.