Nga të dhënat e hapura te e-komunat, si po e bën Partneriteti për Qeverisje të Hapur Maqedoninë e Veriut më digjitale dhe transparente?

Partneriteti për Qeverisje të Hapur (PQH) synon ta bëjë Maqedoninë e Veriut më digjitale, transparente dhe më të qasshme për qytetarët, por zbatimi i disa prej zotimeve kryesore ende mbetet i kufizuar. Nga digjitalizimi i financave të partive politike dhe ndihmës juridike falas, te të dhënat ekonomike komunale dhe mekanizmat digjitale për përfshirjen e në vendimmarrje, reformat parashikojnë më shumë të dhëna të hapura dhe shërbime digjitale. Cilat janë detyrat të vendi duhet t’i përmbushë në fushën e digjitalizimit? shkruan Portalb.mk.

Nga të dhënat e hapura te shërbimet digjitale: si po ndryshon qeverisja përmes PQH-së

Përballë sfidave të mëdha globale, iniciuesit e reformave në qeveri dhe shoqërinë civile po punojnë në mbarë botën për ta bërë qeverisjen më transparente, gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse, duke avancuar reformat në nëntë fusha prioritare, mes të cilave është edhe qeverisja digjitale.

Derisa teknologjitë e reja dhe ato në zhvillim krijojnë mundësi që qeveritë dhe qytetarët të avancojnë transparencën, llogaridhënien dhe praktikat pjesëmarrëse, anëtarët e Partneritetit për Qeverisje të Hapura (PQH/OGP), në mesin e të cilave tashmë prej 15 viteve është edhe Maqedonia e Veriut punojnë për krijimin e politikave që maksimizojnë përfitimet nga këto zhvillime.

Partneriteti për Qeverisje të Hapur e ka dëshmuar në praktikë se nuk është vetëm një proces, por një model pune që tregon se kur institucionet dhe shoqëria civile punojnë së bashku, rezultatet janë më të mira, më konkrete dhe më të dobishme për qytetarët.

Për shembull, përmes këtij procesi: është rritur transparenca proaktive e institucioneve, gjë që ka kontribuar në publikimin e më shumë të dhënave dhe informacioneve me interes publik; janë hapur të dhëna dhe janë vendosur standarde për të dhënat e hapura; është përmirësuar qasja në informacionet me karakter publik si dhe janë zhvilluar shërbime digjitale.

PQH-ja synon inovacion më të madh dhe përparim teknologjik, duke shfrytëzuar ekspertizën dhe potencialin e shoqërisë civile për përdorimin e teknologjive në funksion të qeverisjes së mirë.

Çfarë po bëhet momentalisht në fushën e digjitalizimit dhe qeverisjes digjitale në RMV?

Plani aktual Kombëtar i Veprimit 2024-2026, apo i gjashti me radhë që kur Maqedonia e Veriut iu bashkua PQH-së përmban disa fusha prioritate midis të cilave theksohen edhe zotimet në fushën e digjitalizimit dhe qeverisjes digjitale.

Ndër prioritetet e këtij plani janë zhvillimi dhe përdorimi i teknologjive digjitale.

Ndërsa në mesin e zotimeve janë digjitalizimi dhe avancimi i sistemit për ndihmë juridike falas, digjitalizimi i proceseve për raportimin financiar të partive politike, digjitalizimi i të dhënave për avancimin e politikave ekonomike lokale.

S’ka më raporte financiare në word dhe excel, do të krijohet softuer

Digjitalizimi i proceseve për raportimin financiar të partive politike parasheh mundësimin e transparencës sistematike të financimit të partive politike, pasi është konstatuar se mënyrat aktuale të financimit të partive politike krijojnë një mjedis të favorshëm për korrupsion.

Përkatësisht, përmes financimit të partive politike krijohen mundësi për krijimin e lidhjeve të forta dhe pozicioneve të fuqishme, të cilat më vonë, nga pozita e pushtetit-donatorit, mund të përdoren për korrupsion.

“Për të forcuar mbikëqyrjen nga institucionet, por edhe për t’u mundësuar qytetarëve të monitorojnë financimin, propozohet vendosja e transparencës sistematike të financimit. Kjo nënkupton qasje në të dhënat për financimin e partive politike në një vend të vetëm”, thuhet në planin e veprimit.

Me këtë zotim pritet të përgatitet zgjidhje softuerike që do të mundësojë përgatitjen e raporteve financiare drejtpërdrejt në një sistem online.

Komunat çalojnë në digjitalizim, përmes PQH-së synohet të digjitalizohen

Ka komuna me të cilat mund të komunikohet në mënyrë elektronike në disa aspekte, lëshohen dokumente elektronike etj., por ka edhe komuna ku në ueb-faqen e tyre nuk mund të gjeni as informacionet bazë për punën e komunës, e lëre më të përfshiheni në proceset e marrjes së vendimeve.

Gjithashtu, jo të gjithë qytetarët, madje as komunat, e kanë të qartë se çfarë duhet të vendoset në konsultime publike.

Përmes planit të veprimit, pritet të avancohen edhe kapacitetet e komunave për pjesëmarrjen e tyre të përgatitur në proceset e digjitalizimit dhe për futjen e konceptit të e-komunave.

“Përmes kësaj, publiku do të ketë qasje më të lehtë për t’u përfshirë në marrjen e vendimeve që lidhen me përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitetin lokal, përmes digjitalizimit dhe përdorimit të mjeteve të TIK-ut”, thuhet në planin e veprimit.

Përmirësim i politikave lokale përmes digjitalizimit

Centralizimi i politikave publike të Maqedonisë së Veriut ka thelluar dallimet rajonale. Decentralizimi përmes specializimit të mençur rajonal, i bazuar në observatorë për të dhënat lokale, mund t’i zvogëlojë këto dallime. Megjithatë, barrierat në qasje dhe boshllëqet në kompetencat digjitale të zyrtarëve për përdorimin e këtyre të dhënave e kufizojnë këtë transformim.

“Qëllimi i kësaj zotimit është përshpejtimi i procesit të decentralizimit përmes promovimit të një sistemi për krijimin e politikave zhvillimore rajonale dhe lokale të bazuara në të dhëna. Kjo do të arrihet përmes rritjes së cilësisë dhe qasshmërisë së të dhënave komunale, si dhe përmes futjes së mjeteve moderne për analizimin dhe interpretimin e tyre”, thuhet në planin e veprimit.

Ky zotim synon bashkëpunimin me disa institucione publike për përmirësimin dhe publikimin e të dhënave ekonomike lokale që ato i posedojnë, përfshirë Agjencinë e Punësimit dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike.

Digjitalizimi i të dhënave për të ardhurat deri në nivel komune është gjithashtu pjesë e zotimeve të BE-së për informim më të mirë gjatë krijimit të politikave publike dhe ligjeve të reja.

Digjitalizimi i ndihmës juridike falas

Përmes digjitalizimit dhe përmirësimit të sistemit për ndihmë juridike falas synohet fillimi i zbatimit në praktikë të softuerit për menaxhimin e lëndëve për ndihmë juridike falas, përmirësimit të sistemit të mbledhjes së të dhënave dhe mbajtjes së statistikave, sigurimit të interoperabilitetit për shkëmbimin e të dhënave me institucionet e tjera të përfshira në sistemin për NJF, si dhe ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Ndihmë Juridike Falas.

“Digjitalizimi në këtë fushë pritet ta përmirësojë ndjeshëm transparencën në menaxhimin e lëndëve për ndihmë juridike falas, cilësinë e raporteve vjetore dhe disponueshmërinë e të dhënave statistikore, duke përmirësuar ndjeshëm informimin e qytetarëve. Për më tepër, me ndryshimet e propozuara në zgjidhjet ligjore do të përmirësohej qasja në drejtësi për qytetarët, duke zgjeruar numrin e shfrytëzuesve të këtyre shërbimeve dhe, rrjedhimisht, duke rritur besimin në institucione”, thuhet në planin e veprimit.

Qeverisje digjitale edhe në Kuvend

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka përcaktuar qëllimet dhe prioritetet e tij strategjike në Planin Strategjik të Kuvendit për vitet 2024–2028, të miratuar më 31.8.2023. Plani Strategjik përfshin si prioritete hapjen dhe digjitalizimin.

Plani i veprimit parashikon regjistrin e trupave rregullatore të themeluara nga Kuvendi. Me këtë zotim synohet krijimi i një liste gjithëpërfshirëse të këtyre organeve, të cilat aktualisht mbahen nga nëpunësit si lista të ruajtura lokalisht në Komisionin për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve.

“Këto të dhëna duhet të jenë në një formë publike, të qasshme, të kërkueshme dhe të digjitalizuar, për përdorim dhe informim të qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile, institucioneve akademike etj”, thuhet në Planin e Veprimit.

Krijimi i një liste të tillë pritet t’i zvogëlojë kërkesat për qasje në informacione publike drejtuar Kuvendit, pasi këto informacione do të jenë të disponueshme në mënyrë proaktive.

Çfarë tregon raporti i Mekanizmit për Raportim të Pavarur?

raportin e Mekanizmit për Raportim të Pavarur (IRM) theksohet se plani aktual i veprimit 2024–2026 është ambicioz.

Aty theksohet se pushteti qendror e ka miratuar portalin ENER për konsultimin e të gjitha projektligjeve dhe dokumenteve për një periudhë prej 30 ditësh para se ato të vendosen në rendin e ditës së Qeverisë, ndërsa theksojnë se ky angazhim do të përsëriste praktikë të tillë edhe në nivel lokal.

“Nëse proceset e konsultimit standardizohen dhe futen mjete digjitale, qytetarët do ta kenë më të lehtë të marrin pjesë në vendimmarrjen në nivel lokal”, thuhet në raport.

Raporti e thekson si premtues zotimin për digjitalizimin e proceseve për raportimin financiar të partive politike.

“Ky angazhim do ta centralizonte dorëzimin dhe publikimin e këtyre raporteve në një bazë të vetme të të dhënave në faqen e internetit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit”, tregon raporti.

Gjendja fillestare është se asnjë raport për financimin e partive politike nuk dorëzohet në mënyrë elektronike në format të lexueshëm nga makineritë, ndërsa objektivi është që deri në fund të planit të veprimit të arrihet 100% dorëzim elektronik.

Sa i përket zhvillimit dhe përdorimit të teknologjive digjitale, konkretisht për përmirësimin e politikave lokale përmes digjitalizimit, raporti i IRM-së thekson se synon të vendosë një sistem të automatizuar për grumbullimin dhe digjitalizimin e të dhënave ekonomike komunale dhe se të dhënat do të rishikohen rregullisht.

Lidhur me Kuvendin, raporti i IRM-së thekson se ky plan përmban më pak angazhime krahasuar me planin e veprimit 2021–2023 (11 angazhime), ndërsa rezultatet e pritshme për secilin afat kohor nuk janë përcaktuar, ndryshe nga plani i mëparshëm i veprimit.

Ku ka mbetur implementimi?

Derisa është duke u përgatitur plani i radhës i veprimit, i shtati me radhë, pasqyra e zbatimit të Zotimeve nga Plani Kombëtar i Veprimit për PQH 2024-20226 deri në qershor, tregon se niveli i zbatimit në fushën e digjitalizimit mbetet i kufizuar.

Konkretisht kjo pasqyrë i referohet zotimit për përmirësimin e cilësisë së konsultimeve publike në nivel kombëtar, për të cilin përgjegjës janë Sekretariati Gjeneral i Qeverisë dhe Ministria e Administratës Publike.

Pritet që Raporti për VNR të përditësohet/përmirësohet përkatësisht përmes adresimit të çështjes së rritjes së dukshmërisë së rezultateve nga konsultimet me palët e interesuara dhe publikun e gjerë gjatë krijimit të politikave, me vendosjen e një pasqyre tabelare në kuadër të Raportit për VNR.

Gjithashtu i kufizuar përshkruhet edhe digjitalizimi i proceseve për raportimin financiar të partive politike, zotim i cili bie mbi Ministrinë e Financave.

Në vijim duhet të bëhet miratimi i akteve nënligjore të përgatitura; zhvillimi dhe vendosja e zgjidhjes softuerike për raportimin digjital financiar të partive politike; testimit dhe vënia në funksion e sistemit dhe trajnimi i përdoruesve.

Ndryshe, Partneriteti për Qeverisje të Hapur (PHQ) është nismë ndërkombëtare e nisur në vitin 2011, ku Maqedonia e Veriut u bashkua menjëherë pas themelimit. Ajo synon të promovojë transparencën, pjesëmarrjen qytetare, luftën kundër korrupsionit dhe përdorimin e teknologjive të reja në administratë. Sot PHQ përfshin 78 shtete dhe organizata të shumta të shoqërisë civile. Në Maqedoninë e Veriut, krahas ekzekutivit, zbatohen edhe nisma për Parlament të Hapur dhe Gjyqësor të Hapur.

Teksti është përgatitur në kuadër të projektit “Së bashku për Partneritetin për Qeverisje të Hapur: Mbështetje për procesin e zbatimit dhe hartimin e së ardhmes”, i financuar nga Sekretariati për Partneritet për Qeverisje të Hapur.