NP “Rrugët Shtetërore” e ka dorëzuar në Prokurori marrëveshjen për Korridorin 8 dhe 10-D

Gjatë ditës së djeshme, Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore”, duke vepruar ndaj kërkesës së prokurorit publik të Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion e ka dorëzuar marrëveshjen për ndërtimin dhe mbikëqyrjen e ndërtimit të korridorit 8 dhe 10-D, informojnë nga Prokuroria, transmeton Portalb.mk.

Paraprakisht “Rrugët Shtetërore” deri te Prokuroria i ka dorëzuar numrat e shpalljeve nga furnizimet publike lidhur me korridoret 8 dhe 10-D, për të cilat prokurori publik ka siguruar qasje në bazën elektronike të të dhënave të Byrosë për Furnizime Publike.

“Marrëveshja, ashtu sikur edhe përmbajtja e dokumentacionit të plotë elektronik nga Sistemi Elektronik për Furnizime Publike lidhur me të gjitha procedurat për furnizim publik ku si lëndë e marrëveshjes paraqiten korridoret 8 dhe 10-D në periudhën e ardhshme do të analizohen në drejtim të konstatimit të elementeve për kryerjen eventuale të veprës penale”, njoftojnë nga Prokuroria.

Duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për dokumentacion voluminoz, Prokuroria njofton se prokurorit dhe hetuesve do t’u nevojitet kohë për analizim dhe kontroll të të gjitha indikacioneve që me muaj janë në interes të opinionit.

“Për çdo veprim që nuk do ta pengojë procedurën dhe do të mundet të ndahet me opinionin, Prokuroria në kohë do të informojë”, thonë nga Prokuroria.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Ndërkohë, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.