RMV, kompania që do të ndërtojë Korridorin 8 dhe të 10-D ka kontratë sy më sy

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe konsorciumi “Bechtel&Enka” të mërkurën kanë nënshkruar marrëveshje për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D, në vlerë prej 1.3 miliard eurosh, raporton REL. Pjesë e Korridorit 8 që duhet ndërtuar, është autostrada Tetovë-Gostivar – Kërçovë- Bokujçani -Strugë – Qafëthanë, përderisa Korridori 10-D, do të lidhë Prilepin me Manastirin.

Mjetet për realizimin e këtij projekti do të sigurohen nga arka e shtetit me vlerë nga 250 milionë euro në vit.

“‘Bechtel&Enka’ ka një histori të gjatë në ofrimin e projekteve, veçanërisht të atyre komplekse. Ne morëm përgjegjësinë që të sigurojmë standardin më të lartë që është shumë serioz për këtë projekt”, tha Mark Allison, drejtor i përgjithshëm i kompanisë gjatë nënshkrimit të kontratës në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër, Ejup Rustemi nga Ndërmarrja e rrugëve të Maqedonisë ka theksuar se do të respektohet dinamika e ndërtimit.

“Ndërtimi i këtyre dy korridoreve evropiane do të ndikojë jashtëzakonisht në zhvillimin më të shpejtë ekonomik, lidhjet më të mira me fqinjët dhe korridoret evropiane”, ka theksuar Ejup Rustemi.

Me këtë rast zëvendëskryeministri Artan Grubi ka thënë se ndërtimi i një kilometri rrugë do të kushtojë 12 milionë euro. Ai shtoi se ky çmim është më i ulët se mesatarja e çmimit të autostradave të ndërtuara në rajon, ku çmimi për kilometër autostradë shkon deri në 19 milionë euro.

“Bëhet fjalë për ndërtimin e 110 kilometrave autostradë. Nga korridori në Tetovë deri në Gostivar do të kemi tri korsi në anën e majtë dhe të djathtë. Në pjesën nga Gostivari, në Kërçovë, do të lidhet me autostradën që po ndërtojnë kinezët. Pas Trebenishtes do të ndërtohet një autostradë tjetër. Nga ana e Shqipërisë tashmë po ndërtohet, ndaj ky projekt do të na lidhë me Tiranën, Durrësin dhe Portin e Thatë në Durrës”, ka sqaruar Grubi.

Kompania që do të ndërtojë Korridorin 8 dhe të 10-D ka kontratë sy më sy

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut vendosën që Korridorin 8 dhe 10 ta ndërtojnë përmes parimit “çelësi në dorë”, përkatësisht në vend të tenderimit të negociohet në mënyrë të drejtpërdrejtë me kompaninë, e cila do të ndërtojë autostradën, përkatësisht do të marrë për sipër të hartojë studimin e fizibilitetit dhe më pas të realizojë projektin në tërësi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka mbrojtur qëndrimin se përmes këtij modeli do të arrihet që ndërtimi i autostradës të realizohet më shpejt dhe pa pengesa. Për këtë arsye, Qeveria propozoi miratimin e një ligji, i cili mundëson nënshkrimin e marrëveshjeve sy më sy me konsorciumin “Bechtel&Enka” për ndërtimin e këtyre dy korridoreve.

Ligji qe kontestuar nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, por pavarësisht kësaj, ligji u miratua nga shumica parlamentare në korrik të vitit 2021.

Më vonë Gjykata Kushtetuese, në dhjetor të vitit 2021, ka hedhur poshtë kërkesën e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit , me arsyetimin se ky ligj nuk kërcënon sundimin e drejtësisë dhe nuk paraqet rrezik për korrupsion.

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vetëm një nen të këtij ligji që kishte të bëjë me mundësinë që punëtorët të punojnë 60 orë brenda javës, ndërkohë që në bazë ligjeve të vendit për marrëdhënie pune punëtorët punojnë vetëm 40 orë brenda javës.

Vihet në pikëpyetje kredibiliteti i kompanive mbikëqyrëse

Fillimi i punimeve të Korridorit 8 dhe 10-D është përcjellë me probleme rreth kredibilitetit të kompanive që do të mbikëqyrin punimet e konsorciumit “Bechtel&Enka”.

Në fund të gushtit të vitit 2022 u anulua tenderi në vlerë prej 27 milionë eurosh pasi kompania kroate, e cila kishte fituar tenderin që do të mbikëqyrte punimet e konsorciumit ndërkombëtar “Bechtel&Enka” nuk kishte deponuar garanci bankare.

Atë kohë zëvendëskryeministri Artan Grubi tha se për shkak të mungesës garancisë bankare nuk fitoi kompania kroate, pasi pas saj fshiheshin pronarë rusë.

Më 2 shkurt të vitit 2023 Qeveria bëri të ditur se ka nënshkruar marrëveshje me grupin kompanive të udhëhequra nga “IRD Engineering” që për 22 milionë euro do të duhet të mbikëqyrin punimet e konsorciumit ndërkombëtar “Bechtel&Enka”.

Por, edhe ky rast u përcoll me shumë skandale dhe kritika nga opozita maqedonase, pasi portali PRIZMA bëri të ditur se njëra nga kompanitë, e cila është pjesë e konsorciumit “IRD Engineering” është pjesë e një skandali korruptiv në Armeni.

Megjithatë, mbikëqyrja do të kryhet nga “IRD Engineering”, e cila si konsulent për transaksione financiare në emër të qeverisë, muajin e kaluar i udhëhoqi negociatat me konsorciumin “Bechtel&Enka”.

Ndryshe, më 8 mars u nënshkrua marrëveshja për Korridorin 8 dhe 10D mes Qeverisë së RMV-së dhe Behtel-Enka. Projekti do të kushtojë 1.3 miliardë euro ose 12 milionë euro për kilometër, i cili duhet të shtrihet nga Tetova deri në Qafathanë dhe do të duhet të përfundojë deri në vitin 2027.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button