Ambasada e SHBA-s për Bechtel dhe Enka: Mbështesim investimet në interes të RMV-së, nëse ka aktivitete joadekuate, duhet të hetohen

Ambasada amerikane në Shkup, në një prononcim të dhënë për agjencinë e lajmeve MIA, në lidhje me projektin për korridorin 8 dhe 10d, ka thënë se mbështet plotësisht investimet nga të cilat përfiton populli i Maqedonisë së Veriut, por nëse ka aktivitet jo adekuate, ato duhet të hetohen, transmeton Portalb.mk.

“Duke qenë se ky nuk është një projekt i qeverisë amerikane, ambasada nuk kishte vend në tryezën e bisedimeve”, thuhet në përgjigjen e ambasadën për MIA-n, në lidhje me deklaratën e kryeministrit Dimitar Kovaçevski për akuzat e opozitës për korrupsion gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me “Bechtel dhe Enka”, ku ai kërkoi nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë të tregojnë “nëse në dy vitet e fundit, që kur po përgatitej ky projekt, dikush nga vendi ynë ka kërkuar diçka prej tyre apo kompanive të tyre.”

“Ne e kemi bërë të qartë se nëse ka pyetje për veprime joadekuate në këtë apo ndonjë rast tjetër të prokurimit qeveritar, ato duhet të hetohen. Bechtel-Enka ka negociuar dhe realizuar me sukses disa projekte të mëdha në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, thanë Ambasada e ShBA-së.

Kujtojmë që, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-d me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button