Qeveria e RMV-së do të shpenzojë mbi 350 mijë euro për promovimin e punës së saj përmes një kompanie bullgare
Qeveria përsëri do të shpenzojë mbi 350.000 euro para të popullit për reklamimin e projekteve që i realizon ajo, ndërsa për këtë qëllim sërish është angazhuar kompani, bashkëpronar i së cilës është firmë e regjistruar në Bullgari, shkruan Fokus, transmeton Portalb.mk.
Më 1 shtator Qeveria, përkatësisht Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë, lidhi kontratë të re me “Friday Communications ShPKNjP Shkup“ me vlerë prej 21,2 milionë denarësh apo rreth 350.000 eurosh për video dhe foto produksion, monitorim dhe informim mbi projektet qeveritare.
Kontrata e cila është lidhur për një vit ka tre zëra: video produksion, foto produksion dhe fushatë komunikimi.
Kjo kompani në maj të vitit 2025 e tërhoqi vëmendjen e mediave në Maqedoni pasi lidhi kontratë me Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë në vlerë prej 23,6 milionë denarësh (rreth 360.000 euro) për video dhe foto produksion, monitorim dhe informim mbi projektet qeveritare.
Në të dyja kontratat me produksionin është nënshkruar sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev.
Sipas të dhënave të “Company Wall“, bashkëpronarë të kompanisë janë Marko Kostadinovski dhe MK MEDIA GROUP EOOD.
MK MEDIA GROUP EOOD është kompani bullgare e themeluar në vitin 2020 me seli në Bllagoevgrad të Bullgarisë, menaxher është Zoran Milevski (me shtetësi bullgare), ndërsa pronar është Vanço Boshkov (ka marrë pjesë në themelimin e kompanisë me shtetësi maqedonase).
Kompania në Bullgari merret me ofrimin e shërbimeve online, tregti online, shërbime që ofrohen përmes telefonit, aktivitete reklamuese, ofrimin e shërbimeve të marketingut, dyqan online, blerjen e mallrave ose artikujve të tjerë me qëllim shitjen në formë origjinale, të përpunuar apo të ripërpunuar; përfaqësim tregtar dhe ndërmjetësim; shërbime për reklamim, informim, programim dhe menaxhim; transaksione me pronësinë intelektuale; aktivitete për konsulencë, si dhe të gjitha aktivitetet dhe shërbimet e tjera që nuk janë shprehimisht të ndaluara me ligj, pas lëshimit të lejes, akreditimit apo licencës përkatëse, nëse një gjë e tillë është e nevojshme.
Sipas bazës bullgare të të dhënave për kompanitë mund të shihet se Vanço Boshkov e ka blerë kompaninë nga Marko Kostadinovski, i cili është pronar i kompanisë nga Maqedonia që e fitoi tenderin nga Qeveria.
Një pjesë e mediave tashmë kanë publikuar se Marko Kostadinovski dyshohet se ka pasur marrëdhënie të afërta afariste me ish-drejtorin e RTVM-së, Marjan Cvetkovski.
Në mesin e kontratave kontroverse të Qeverisë me agjencitë e marketingut në dy vitet e fundit është edhe ajo e 19 marsit e vitit 2025, e lidhur tri ditë pas tragjedisë në Koçan. Kontrata me agjencinë “Market Vision” u lidh për hulumtimin e opinionit publik në vlerë prej 400.000 eurosh. Kontrata është lidhur gjatë zisë shtatëditore për shkak të tragjedisë në Koçan ku e humbën jetën 59 të rinj.