Qeveria sot do të vendosë për uljen e TVSH-së për karburantet
Qeveria sot do të mbajë një seancë në të cilën pritet të miratojë një masë të re për zbutjen e rritjes së çmimeve të karburanteve – uljen e TVSH-së nga 18 në 10 për qind, njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.
Njoftimi vjen një ditë para vendimit të Komisionit Rregullator të Energjetikës për çmimet e reja të karburanteve. Mickoski thotë se me masën e re Qeveria pret ulje të çmimit të naftës.
“Ne tashmë kemi masa për karburantet, akciza të reduktuara për naftën dhe karburantin pa plumb. Sot përsëri do të kemi seancë qeveritare dhe do të miratojmë një masë të re – uljen e TVSH-së nga 18 në 10 për qind. Me këtë presim që të ketë ulje të çmimit të naftës”, tha Mickoski.
Ai pranon se ulja e tatimit do të ketë pasoja të drejtpërdrejta në të ardhurat e arkës së shtetit, por thotë se prioritet i Qeverisë është mbrojtja e standardit të jetesës.
“Kjo do të ketë implikime në Buxhet, por interesi ynë është të mbrojmë standardin e qytetarëve. Nuk është e lehtë, do të luftojmë. Kemi disa luftëra, krizën më të madhe energjetike”, deklaroi kryeministri.
Sipas Mickoskit, pavarësisht çmimeve të larta, karburantet në Maqedoni do të mbeten më të lira krahasuar me vendet fqinje.
Kujtojmë se çmimi i dizelit në Maqedoni që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit e deri më tani është rritur për më shumë se 30 denarë për litër, përkatësisht për rreth 43 përqind. Benzinat gjatë së njëjtës periudhë janë shtrenjtuar për gati 20 denarë, ose rreth 26 përqind raporton.
Për krahasim, më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli filluan sulmet ndaj Iranit, çmimi maksimal i Eurosuper BS-95 në vend ishte 73,5 denarë, BS-98 kushtonte 75,5 denarë, ndërsa dizeli 71 denarë për litër.