Frymëmarrja e fundit e një krimineli dhe tmerri i ideve që nuk vdesin

Shkruan: Milazim Mustafa, avokat

Çdo njeri do ta shijojë vdekjen, sepse ky është i vetmi fakt i pamohueshëm universal. Vdekja e kaploi edhe kriminelin e dënuar për krime lufte, Ratko Mlladiçin. Për personalitetin e tij nuk ka më çfarë të thuhet e as të debatohet. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e kishte dhënë prej kohësh verdiktin e saj të prerë: ai ishte dhe do të mbetet i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit e masakra shtazore në Bosnje. Gjykata e historisë e ka vulosur emrin e tij pranë kapitujve më të errët të njerëzimit. Por ajo që duhet të na shqetësojë sot nuk është vdekja e tij fizike, por ajo që po ndodh pas saj: idetë dhe reagimet që po shpërfaqen hapur mes nesh. Ajo që pashpirtësisht provokon ndërgjegjen njerëzore është mënyra se si vdekja e tij u trajtua nga aparati shtetëror serb. Në vend të një heshtjeje me turp, shteti i organizoi nderime të larta shtetërore dhe ceremoniale mortore. Nëpër qytete u hapën libra zie e ceremoniale, ku qytetarë të helmuar nga propaganda e dekadave parakaluan për të puthur fotot e tij e për të vendosur lule. Kur një shtet nderon zyrtarisht një të dënuar për gjenocid të bërë nga po i njëjti, ai nuk ka ndarë dhimbje me viktimat dhe veprimin e tillë, por faktikisht e dëshiron rishtazi të njëjtin.

Më e rëndë dhe më me pasoja direkte për ne është ajo që ndodh brenda shtëpisë sonë, në Maqedoninë e Veriut. Zyrtarë të lartë të qeverisë përdorën profilet e tyre zyrtare për t’i thurur elozhe “heroit” të tyre, duke lavdëruar hapur figurën dhe veprën e tij — e cila në realitet nuk është asgjë tjetër veçse gjenocid dhe spastrim etnik. Partia politike e udhëhequr nga Ivan Stoilkoviç, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar, shprehu publikisht ngushëllimet më të thella, duke deklaruar se “ndihen të tmerruar nga humbja e heroit të madh të popullit serb, i cili mbrojti me dinjitet të drejtën e ekzistencës”. Kjo gjuhë, e përdorur nga një parti që është pjesë e pushtetit dhe merr vendime për fatet e të gjithë qytetarëve të këtij shteti, është goditje direkte mbi vlerat themelore civilizuese. Fakti më i dhimbshëm është heshtja kolektive që shoqëron këtë skandal: hesht qeveria që lejon partnerët e koalicionit të sfidojnë drejtësinë ndërkombëtare; hesht prokuroria, e cila në vend se të kryejë detyrën e saj kushtetuese e ligjore, mbyll sytë. Ajo duhej të analizonte me urgjencë nëse ka vepër penale nga bartësit e funksioneve publike që nderuan kriminelin e dënuar për gjenocid, bazuar direkt në Nenin 407-a të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut (“Aprovimi, arsyetimi ose glorifikimi i gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës”). Pastaj, hesht partia shqiptare në pushtet, hesht opozita, heshtim ne qytetarët, duke u kthyer në spektatorë të apatisë sonë.

Pas gjithë kësaj heshtjeje, hesht edhe bashkësia ndërkombëtare. Shoqërisë sonë i mungon proaktiviteti dhe vizioni për t’i parandaluar katastrofat ideologjike përpara se ato të marrin format e tyre ushtarake. Vetëm atëherë kur ndodhin fatkeqësitë, të gjithë zgjohemi: ngrihemi të qajmë me viktimat, vendosim kurora lulesh nëpër parqe dhe mbajmë fjalime patetike për të rënët. Ajo që duhet të na fusë tmerrin nuk është trupi i kriminelit që kalbet në dhe, e as ata që nderojnë po të njëjtin. Ajo që duhet të na frikësojë si shoqëri janë idetë e tilla, që janë më se të gjalla mes nesh e rreth nesh. Më frikësojnë idetë e tilla helmuese që qarkullojnë lirisht mes nesh — ide që gatuhen sot në koka të sëmura dhe ushqejnë zemrat e gjeneratave që po vijnë. Janë po ato ideologji që presin momentin e duhur historik për t’u ringjallur, për të gllabëruar popuj të tërë e për t’i shlyer ata nga faqja e dheut. Nëse nuk i ndalim sot me ndërgjegje e ligj, nesër do të jetë përsëri tepër vonë.