Përshpejtimi i ndryshimeve ligjore për ndërtimin e autostradës hap kutinë e Pandorës

Procedurat e shkurtuara e të përshpejtuara dhe formulimet e pasakta ligjor në ligjet lidhur me ndërtimin e autostradave të korridoreve 8 dhe 10d mund të shkelin rregullat e barazisë dhe qasjes së drejtë, që hipotetikisht në të ardhmen mund të rezultojnë me padi të mundshme nga kompani të tjera dhe pagesën e dëmshpërblimeve nga shteti. Kjo u tha në debatin e djeshëm “Rreziqe më të mëdha nga ndryshimet e shpejta të ligjeve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d”, organizuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Qeveria e Maqedonisë në 8 mars të këtij viti e nënshkroi marrëveshjen me “Bechtel-Enka“ për ndërtimin e autostradave Tetovë-Gostivar, Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë dhe Prilep-Manastir për gjithsej 1.3 miliardë euro. Megjithatë, këto nuk janë të vetmet projekte kapitale që po ndërtohen aktualisht në korridoret 8 dhe 10d. Paraprakisht, në korrik të vitit të kaluar u njoftua se kompania austriake “Shtrabag” dhe kompania turke “Gjulermak” për ndërtimin e hekurudhës nga Kumanova deri në Kriva Pallankë në Korridorin 8. Përfaqësuesit e qeverisë në muajin maj të vitit 2021 kumtuan se kompania austriake “Shtrabag” dhe ajo kineze “Sinohidro” do e ndërtojnë rrugën e shpejtë Gradsko – Prilep në Korridorin 10d. Në të njëjtën kohë, tashmë dhjetë vite me radhë kompania kineze “Sinohidro” po e ndërton autostradën Kërçovë-Ohër, gjatë ndërtimit të së cilës disa here janë shkelur afatet për përfundimin e autostradës, pikërisht për shkak të nevojës për riprojektim të disa pjesëve të autostradës dhe problemeve me ekspropriimin e tokës.

Në pyetjen e parashtruar nga Meta.mk nëse këto kompani ndërtimore në të ardhmen do mund të parashtronin ankesa tek qeveria e Maqedonisë, ose ta padisin qeverinë për padrejtësi eventuale me konsorciumin turko – amerikan “Bechtel-Enka”, Goce Karevski nga Shoqata maqedonase e juristëve të rinj theksoi se formulimi i pasaktë ligjor në tetë ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të ligjeve që ndodhen në Kuvend do mund tua jepnin këtë të drejtë këtyre subjekteve.

Goce Karevski thotë se ne nuk i dimë në veçanti të gjitha marrëveshjet e lidhura ndërmjet atyre subjekteve dhe qeverisë sonë dhe mënyrën se si do të zgjidheshin disa mosmarrëveshje – qoftë përmes gjykimeve kombëtare apo arbitrazhit ndërkombëtar, por parimi për trajtimit të drejtë dhe të barabartë në lidhje me qasjen në prokurime publike është një parim në të cilin mund të thirren kompanitë.

“Hipotetikisht, shteti ynë mund të jetë përgjegjës, sepse vendos trajtim të pabarabartë”, thotë Karevski, dhe shton se kompanitë mund të thirren edhe në Kushtetutën tonë, ku me treg të lirë nënkuptohen rregulla të barabarta loje për të gjithë.

Karevski shton se fjalët e përdorura në këto nene të amendamenteve të propozuara ligjore thjesht e vendosin shtetin në një pozitë shumë të cenueshme nga pikëpamja e sigurisë juridike.
Misha Popoviq, kryetar i Qendrës për Qeverisje të Mirë në Institutin për Demokraci, thotë se rasti i ndërtimit të autostradave në korridoret 8 dhe 10d paraqet dështim të plotë nga fillimi deri në fund të të gjithë mekanizmave mbrojtëse brenda asaj që quhet qeverisje e mirë.

Ai thotë se në dokumentet strategjike, siç është strategjia kombëtare e transportit të vendit, thuhet se jo çdo rrugë duhet të jetë autostradë dhe kur merret një vendim politik pa justifikim për të shndërruar diçka që në strategjinë kombëtare është cilësuar si rrugë e shpejtë në autostradë, ky është sinjali i parë i dështimit.

“Politika duhet ta japë pasqyrën e madhe, pra strategjinë, e pastaj është çështje implementimi, ministritë t’i zbatojnë këto vendime. Nëse politika fillon të ndërhyjë në vendime të tilla implementuese, atëherë kjo gjë paraqet një dështim të mekanizmave mbrojtës në kuadër të asaj që quhet vendimmarrje e bazuar në integritet”, thotë Misha Popoviq, dhe shton se një ministër nuk mund ta ndryshojë aq lehtë vendimin që në vend të ndërtimit të një rruge të shpejtë të ndërtohet një autostradë.

Popoviq vë në pikëpyetje vendimin e qeverisë për përzgjedhjen e “Bechtel-Enka” si realizues i punimeve për autostradat, pa e respektuar Ligjin për Prokurim Publik, i cili siguron transparencë, pra mundësi për konkurrencë dhe përballje të më shumë ofertave nga kompanitë për ndërtimin e autostradave.

Megjithatë, Misha Popoviq thotë se nga pikëpamja e antikorrupsionit, e gjithë kjo tani për tani është e ligjshme, por problemi është se sa shumë dhe sa më shpesh të merren vendime të tilla të nivelit të lartë politik, kjo do të thotë që nesër për zbatimin e dobët të projekteve të mos jetë përgjegjës një sekretar në ministri, por vetë ministrat dhe zëvendëskryeministrat do të jenë përgjegjës për zbatimin e dobët të projekteve.

“Në kuptimin e antikorrupsionit kjo është një gjë e mirë, sepse tani e dimë përgjegjësin. Tani përgjegjësi nuk është një nëpunës në ndonjë zyrë diku në ndonjë ministri që ka bërë një zbatim të dobëte punëve. Tani e dimë që për të gjitha këto përgjegjës janë disa ministra dhe ky është një vlerësim optimist, sepse nëse ka pasur qëllim për korruptim, e gjithë përgjegjësia për ta zbatuar vendimin tani është e politikanëve, dhe kështu nëse zbulohet korrupsion, ne do ta dimë saktësisht emrin dhe mbiemrin e fajtorëve”, thotë Misha Popoviq.

Tona Kareva nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut thotë se në ndryshimet e propozuara ligjore thuhet se partnerit strategjik do t’i jepet në pronësi prona e shpronësuar sapo të bëhet final vendimi për shpronësim, pa pasur nevojë që ai të marrë formë të prerë.
Sipas Kareva-s, kjo do të thotë se kur Ministria të sjellë vendimin për shpronësim, pronën do të mund ta marrë partneri strategjik dhe do të mund të ndërtojë mbi të.

“Mundësia për ankesë do të bëhet e plotfuqishme kur të përfundojë procedura gjyqësore. Kjo domethënë se edhe sikur të përfundojë procedura gjyqësore në favorin e tij, atij veçmë do t’i jetë shpronësuar prona dhe mbi do të jetë ndërtuar”, thotë Kareva, duke shtuar se me zgjidhje të këtilla ligjore vihen në pikëpyetje mbrojtja gjyqësore dhe siguria juridike e qytetarëve nga aspekti i plotësimit të së drejtës së pronës dhe posedimit të tokës së tyre. Goce Koneski nga Shoqata Maqedonase e Juristëve të ëinj thotë se në pjesën e shpronësimit duhet të ndryshojë i tërë koncepti dhe të vlejë për të gjithë. Ai thotë se shpronësimi i tokës bëhet gjithmonë kur ekziston interesi publik. “Nuk mund të bëhet përjashtim që i referohet vetëm këtij rasti, i cili meqë bie fjala, i vendos edhe objektet jolegale si pronë për të cilën personat duhet të kompensohen”, thotë Kocevski.

Ai shton se shpronësimi është marrja e tokës për interes publik, dhe nuk varet nga ajo se a e doni ju apo jo këtë vendim. Shteti këtu ka autonomi të plotë, mirëpo ajo nuk është e gjerë, por është e kufizuar me disa rregulla, fillimisht me të drejtën e pronës, shton ai.

Misha Popoviq sqaroj se ekzistojnë disa aspekte kontestuese rreth ndërtimit të vetë autostradave të Korridoreve 8 dhe 10d. Së pari, ai mendon se duhet të diskutohet transparenca, gjegjësisht kontrata me firmën ndërtuese e cila kontratë është shpallur si sekrete për shkak sekreteve afariste dhe është në kundërshtim me parimet e transparencës.

Kontratat e këtilla duhet të jenë publike, përveç nëse me të vërtetë ekzistojnë arsye të justifikuara për fshehjen e tyre, por është krejtësisht e zakonshme që kontratat e këtilla të publikohen në mënyrë të redaktuar, gjegjësisht të çkyçen për publikim ato pjesë që janë sekret afarist për publikun, thotë Misha Popoviq.

Së dyti, thotë Misha Popoviq, me rëndësi është që deputetëve t’u jepen të gjitha mundësitë që të sjellin vendim të informuar, gjegjësisht të kenë qasje të detajuar në raport me atë se çfarë fiton e çfarë humb shoqëria me ndryshime të caktuara ligjore. Pikërisht për këtë arsye, Misha Popoviq thotë se me tërheqjen e ndryshimeve të propozuara të tetë ligjeve dhe heqjen dorë nga miratimi i tyre në procedurë të shkurtuar do të mundësohet debat më i mirë publik, në të cilin do të kyçen palë më të ndryshme të interesuara që do t’i thonë pikëpamjet e tyre në lidhje me atë se çka humbim e çka fitojmë, që në fund të fundit, të këshillohen deputetët se çfarë vendimi duhet të miratojnë në Kuvend gjatë miratimit të tyre.

Përndryshe, dje në Kuvend u shty seanca e Komisionit parlamentar për punë dhe politikë sociale, në të cilën duhej të shqyrtohen ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për marrëdhëniet e punës. Nesër para Komisionit për çështje ekonomike do të gjenden në shqyrtim ndryshimet e propozuara ligjore të Ligjit për lëndë të para minerale.

Kuvendi i RMV-së në lidhje me gjashtë ndryshimet dhe plotësimet ligjore që e kaluan leximin e parë në procedurë të shkurtuar, tani për tani nuk i ka caktuar seancat e komisioneve, edhe atë më konkretisht për: Ligjin për tokën bujqësore, Ligjin për shpronësim, Ligjin për planifikim urbanistik, Ligjin për pyjet, Ligjin për ndërtim dhe Ligjin për përcaktimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për implementimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10d.

Edhepse u tërhoq nga votimi propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Ordançe Petrov nga Shoqëria arkeologjike e Maqedonisë deklaroi se do të qëndrojnë zgjuar dhe do t’i ndjekin lëvizjet e Kuvendit të RMV-së, sepse nuk janë të sigurt nëse do të gjenden ndryshimet ligjore të Ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në ndonjë nga seancat e ardhshme të kuvendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button