LSDM kërkoi hetim për 5,5 milionë eurot e festimit të 35 vjetorit të pavarësisë, Mickoski i quajti “estradë” kritikat e opozitës
LSDM kërkon të hapet një hetim për financimin e festimit të 35-vjetorit të pavarësisë dhe të ndiqet “gjurma e parave”, duke pretenduar se Qeveria ende nuk i ka publikuar kontratat, faturat, pagesat dhe listën e plotë të kompanive që kanë marrë ose siguruar fonde, transmeton Portalb.mk.
Maja Borozan nga LSDM-ja, në konferencën e sotme për media, tha se dyshimet shtohen edhe më shumë nga mënyra se si është zhvilluar thirrja publike – sipas partisë, ajo ka zgjatur vetëm pesë ditë pune dhe është pranuar vetëm një ofertë.
“Kur shpenzohen pesë milionë euro nga paratë e qytetarëve, ata duhet të dinë se ku ka përfunduar çdo denar, çdo euro. Qeveria duhet t’i publikojë kontratat, anekset, faturat, pagesat bankare, përfituesit, realizuesit, furnizuesit dhe detyrimet e llogaritura tatimore”, tha Borozan.
Borozan kërkoi të publikohet se sa ka kushtuar saktësisht performanca e David Guetta-s, përfshirë honorarin e tij, produksionin, skenën, teknikën, transportin dhe ekipin ndërkombëtar, por edhe kur janë kontraktuar dhe paguar këto shpenzime.
“Thirrja publike përfundon më 8 maj, ndërsa vetëm tri ditë më vonë pushteti tashmë e njofton performancën e Guetta-s”, tha Borozan, duke vlerësuar se duhet të sqarohet e gjithë procedura.
LSDM kërkon gjithashtu informacione se cilat kompani vendase dhe të huaja janë angazhuar, sa ka qenë kompensimi i organizatorit dhe sa fitim kanë realizuar “Stardust”, përkatësisht “Avalon”. Borozan pretendoi gjithashtu se “Avalon” ka llogari të bllokuar dhe kërkoi që të publikohen të dhënat për tatimet e paguara.
Kryeministri Hristijan Mickoski sot i hodhi poshtë kritikat e opozitës dhe tha se shënimi i 35-vjetorit zgjati një muaj, përfshiu një numër të madh aktivitetesh dhe se në to morën pjesë më shumë se 200.000 qytetarë. Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve gjatë vizitës së sotme në Veles, kryeministri kritikoi opozitën, duke thënë se, sipas tij, ata janë të vetmit që nuk janë të kënaqur me mënyrën se si këtë vit u shënua Dita e Pavarësisë. Kritikat për shpenzimin e 5,5 milionë eurove nga Lotaria Shtetërore për festimin, ai i cilësoi si “estradë” të opozitës.
“Po e ndjek këtë estradë që po e bën opozita. Mendoj se janë të vetmit që gjatë kësaj periudhe nuk janë të kënaqur, sepse festimi i 35-vjetorit, i cili zgjati më shumë se një muaj, kaloi vërtet shkëlqyeshëm. Kishte shumë qytetarë të lumtur dhe shumë të kënaqur”, tha Mickoski.
Mickoski drejtoi kritika të ashpra ndaj opozitës, duke e akuzuar se, kur ishte në pushtet, paratë nga, siç tha ai, rezervat e Llotarisë Shtetërore shkonin në mënyrë të dyshimtë në xhepat e individëve, ndërsa Qeveria aktuale i kthen ato te qytetarët, në kulturë dhe te artistët.
“Ajo që mund të them është se ata që tani dëshpërohen, dikur i shpenzonin paratë te Perparimi dhe të tjerët. Ka dallim, nuk jemi të njëjtë, për këtë pajtohem me opozitën. Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, ato që ishin rezerva dhe fitim nga Lotaria Shtetërore, më së shpeshti përmes prokurimeve të dyshimta i kthente në xhepat privatë të disa funksionarëve të lartë, për çka ka edhe procese gjyqësore”, tha Mickoski.
Kujtojmë se, festimi i 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut ka kushtuar rreth 340 milionë denarë, ose 5.53 milionë euro. Nga kjo shumë, 300 milionë denarë janë siguruar nga fitimi i pashpërndarë i Lotarisë Shtetërore, ndërsa rreth 40 milionë denarë janë siguruar përmes donacioneve nga kompani. Në dhjetëra ngjarjet e organizuara me rastin e pavarësisë, në mesin e mbi 30 artistëve maqedonas, vetëm një artiste ka performuar në gjuhën shqipe. Shuma u bë publike katër muaj pasi u prezantua koncepti i festimit.
- LEXO: Festimi i 35-vjetorit të pavarësisë kushtoi gjithsej 5.5 milionë euro, ‘me një artiste shqiptare nuk çel pranvera’ (Video)
- LEXO: Marrëveshja me Avalonin për festimet e pavarësisë kaloi përmes Lotarisë Shtetërore, Qeveria nuk zbulon sa para publike u shpenzuan
- LEXO: 35 vjet pavarësi, miliona euro paqartësi: Qeveria nuk i tregon shpenzimet për koncertet