Të mërkurën seanca e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ku në rend dite janë edhe propozimet për Korridorin 8 dhe 10d

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të mërkurën duke filluar nga ora 11:00 do të fillon seancën e 115-të. Në këtë seancë janë planifikuar 36 pika për rendin e ditës, duke përfshirë propozim-ndryshime për ligje të ndryshme, transmeton Portalb.mk.

Pesë propozim-ligje me flamur evropian të propozuara nga Qeveria që i përkasin ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10d kanë arritur në Kuvend, thekson MIA. Siç është publikuar në ueb-faqen e shtëpisë ligjvënëse, këto pesë propozim-ligjet janë vendosur në seancën e 115-të plenare.

Bëhet fjalë për propozim-ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune, të Ligjit për shpronësim, Ligjit për planifikim urbanistik, Ligjit për ndërtim dhe Ligjit për vërtetimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për implementimin e projektit për ndërtimin e Korridorit infrastrukturor (aksi Tetovë – Gostivar – Bukojçanë dhe projekti për autostradë Trebenishtë – Strugë – Qafëthanë) dhe Korridori 10d (aksi në autostradën Prilep – Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Siç mund të shihet në ueb-faqen e Kuvendit, në elaborimet e të gjitha ndryshimet e ligjeve të propozuara, pjesa pesë, gjegjësisht pika 5 e titulluar si: “kontrollim i rregullativave nga sisteme tjera juridike dhe harmonizimi i propozimit Ligjit për të drejtën e Bashkimit Evropian” është i zbrazët.

Nëse të mërkurën në seancë plenare kalojnë filtrin e parë për nevojën e procedurës së shkurtuar, me shumë gjasa do të gjenden në Komisionin parlamentar për çështjet evropiane.

Koordinatori i Grupit parlamentar të BDI-së dhe kryetari i Komisionit parlamentar për çështje evropiane, Arbër Ademi, në konferencën e sotme për shtyp theksoi se do t’i përmbahet rregullores dhe shpreson që opozita të mos e pengojë procedurën.

“Unë jam një nga kryetarët e trupave punues që gjithmonë kam thirrur seancë për çdo pikë kur Plenumi më ka kërkuar që të thërras seancë të tillë. Nëse në një seancë plenare shumica e deputetëve do të vendosin për shqyrtimin e këtyre projektligjeve, sigurisht që menjëherë do ta thërrisja seancën e Komisionit”, tha Ademi.

Sipas deputetit të LSDM-së, Mile Taleski, projektligjet që hyjnë në procedurë parlamentare përmirësojnë efikasitetin në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe energjetike në vend. 

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Ndërkohë, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.