Shefi i NATO-s në Shkup: Stabiliteti në Ballkan, palët të zgjedhin dialogun në vend të konfliktit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u takua të mërkurën në Shkup me drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, anëtare të Aleancës, për të diskutuar mbi çështjet e sigurisë në rajon e më gjerë; luftën që po vazhdon në Ukrainë si dhe konfliktin në Lindjen e Mesme, por dhe mbi tema të tjera, raporton VOA.

Zoti Stoltenberg tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është me rëndësi strategjike për NATO-n dhe sipas tij ka arsye për shqetësim.

“Ne shohim kërcënime për ndarje në Bosnjë-Hercegovinë, një situatë të brishtë të sigurisë në Kosovë dhe ngecje të bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës. Mbi të gjitha, shtetet autoritare, siç është Rusia synojnë të minojë demokracitë tona”, tha shefi i NATO-s.

“Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varet nga të gjitha palët që zgjedhin dialogun dhe diplomacinë në vend të konfliktit dhe kaosit”, theksoi më tej ai.

“Riagazhimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja është thelbësor për rrugën e Beogradit dhe Prishtinës drejt paqes dhe mirëqenies. Propozimi i fundit për Asociacionin e Komunave me Shumicsë Serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara. Është koha që të shmangen konfliktet që kanë zgjatur shumë kohë”, tha zoti Stoltenberg.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka propozuar një format të një samiti të NATO-s me Ballkanin Perëndimor, ku do të jenë të pranishme jo vetëm anëtaret e Aleancës por edhe vendet partnere të saj.

Ai në konferencën e përbashkët të shtypit më shumë foli për Kosovën, ndërsa sulmin e fundit në veriun e saj e konsideroi si një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike.

Kryeminisrti Rama theksoi dhe synimet për shpejtimin e procedurave rreth ndërtimit të bazës së NATO-s në Porto Romano, sepse kjo do të ishte e rëndësishme sipas tij, për vlerën strategjike jo vetëm për Shqipërinë por edhe për vetë NATO-n, e cila do të fitonte një qasje të shpejtë në këtë anë të Evropës për qëllimet e mbrojtjes së përbashkët.

Ai, ndërkohë bëri me dije se vendi i tij ka përmbushur me buxhetin e vitit 2024 qëllimin e financimit të mbrojtjes me 2 përqind, siç e kërkon NATO-ja, për të qenë në frontin e vendeve të Aleancës në të gjitha sfidat e përbashkëta.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve për dëbimin e një diplomati kroat nga Serbia tha se kjo duket të jetë pjesë e fushatës parazgjedhore në vendin fqinj. “Mirë që ka zgjedhje në Serbi”, komentoi ai.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski tha se qëndrueshmëria dhe siguria që ofron NATO-ja për vendin e tij dhe rajonin sjell edhe mirëqenie ekonomike, investitorë evropianë dhe amerikanë dhe standarde më të mira për qytetarët.

“Maqedonia e Veriut dhe vendet e rajonit meritojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha ai, ndërsa shtoi se vendi ka kapacitet për t’i bërë ballë ndikimit rus dhe synimeve keqdashëse, ndërsa vendin e tij e shikon si një faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit.

Kryeministri malazez Milojko Spajiç theksoi përkushtimin e fuqishëm të qeverisë së tij për plotësimin e synimeve strategjike që janë: anëtarësimi i plotë në BE, zbatimi i politikave të NATO-s dhe zgjerimi i bashkëpunimit rajonal.

Sipas tij, gjendja e sigurisë në rajon kërkon një vigjilencë të vazhdueshme të BE-së dhe NATO-s, ndërsa tha se vendi i tij “ka 0 probleme me fqinjët”.

Në takim është diskutuar edhe për luftën brutale të Rusisë ndaj Ukrainës, siç tha kreu i Aleancës, teksa shtoi se nuk shikon shenja tek Putini për të negociuar apo ndalur luftën.

Ai u shprehu mirënjohje vendeve të rajonit për dhënien e mbështetjes jetike, siç tha, për Ukrainën.

Zoti Stoltenberg përsëriti se Aleanca nuk shikon një kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak ndaj vendeve anëtare dhe ndaj rajonit. Ai e cilësoi Maqedoninë e Veriut si një vend të suksesshëm në më shumë fusha, “përfshirë të qenurit një shoqëri e suksesshme shumetnike që i dëshmon rajonit dhe më gjerë se njerëz me origjinë të ndryshme mund të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore”. “Dhe një vend aleat i vlerësuar lart”, u shpreh ai.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut është partner i çmuar në NATO dhe faktor stabiliteti në rajon, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski para fillimit zyrtar të takimit joformal të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni, që u mbajt në Shkup.

Kujtojmë se nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor, Shkupi do të jetë nikoqir edhe i Këshillit Ministror i OSBE-së, që përbën ngjarjen më e madhe në historinë e Maqedonisë së Veriut, si për nga dimensioni ashtu edhe për nga rëndësia për vendin.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani në fillim të këtij muaji tha se presin që Shkupi të jetë nikoqir i 76 delegacioneve nga 57 vende pjesëmarrëse në OSBE dhe partnerë në nivel të ministrave të jashtëm dhe përfaqësuesve të rangut të lartë nga organizatat ndërkombëtare ose më shumë se 1000 përfaqësues të delegacioneve dhe partnerëve të OSBE-së.