Shkupi nikoqir i takimit joformal të krerëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni
Maqedonia e Veriut është partner i çmuar në NATO dhe faktor stabiliteti në rajon, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski para fillimit zyrtar të takimit joformal të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni, që mbahet sot në Shkup. Menjëherë para fillimit të takimit, ai dha deklaratë për media së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, transmeton Portalb.mk.
“Më vjen mirë që sot Maqedonia e Veriut është nikoqir i takimit joformal të liderëve të vendeve anëtare të NATO-s nga rajoni, në të cilin konfirmohet edhe një herë roli ynë si faktor sigurie në rajon, por edhe si shtet anëtar i NATO-s që është një e anëtarëve e cila është e fokusuar plotësisht dhe me përkushtim në përmbushjen e obligimeve si pjesë e Aleancës së NATO-s”, tha Kovaçevski.
Kryeministri Kovaçevski tha se në takimin e sotëm joformal me liderët e aleatëve të NATO-s nga rajoni, do të diskutohet për çështje aktuale për rajonin tonë dhe përkushtimin tonë për stabilitetin dhe sigurinë e tij, si dhe çështje të tjera të rëndësishme me interes për Aleancën.
“Në takimin e sotëm do të diskutojmë çështjet e sigurisë rajonale, por sigurisht që do të diskutojmë edhe temat kyçe në lidhje me luftën në Ukrainë, konfliktin që po zhvillohet në Rripin e Gazës, si dhe të gjitha çështjet e tjera që kanë të bëjnë me ndërtimin e paqes afatgjatë, si dhe sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë, por edhe në Evropë dhe në botë”, shtoi Kovaçevski.
Stoltenberg tha se Maqedonia e Veriut është aleat i vlerësuar dhe një vend i suksesshëm “në shumë mënyra” dhe se është shembull i një shoqërie të suksesshme multietnike ku “njerëz me prejardhje të ndryshme mund të jetojnë së bashku në mënyrë paqësore”.
“Pres të diskutojmë për sigurinë rajonale me liderët, por edhe të adresojmë disa nga sfidat me të cilat përballemi jashtë kufijve të rajonit. Shohim gjithnjë e më shumë konkurrencë globale, konkurrencë të fuqive të mëdha, lufta në Ukrainë është ndezur, ka një luftë të re në Lindjen e Mesme”, tha Stoltenberg.
Nga Shkupi, ai përshëndeti marrëveshjen ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, e cila duhet të çojë në lirimin e pengjeve dhe ndalimin e përkohshëm të armiqësive dhe të mundësojë dërgimin e ndihmave humanitare.
Kujtojmë se nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor, Shkupi do të jetë nikoqir edhe i Këshillit Ministror i OSBE-së, që përbën ngjarjen më e madhe në historinë e Maqedonisë së Veriut, si për nga dimensioni ashtu edhe për nga rëndësia për vendin.
Ministri i Jashtëm Bujar Osmani në fillim të këtij muaji tha se presin që Shkupi të jetë nikoqir i 76 delegacioneve nga 57 vende pjesëmarrëse në OSBE dhe partnerë në nivel të ministrave të jashtëm dhe përfaqësuesve të rangut të lartë nga organizatat ndërkombëtare ose më shumë se 1000 përfaqësues të delegacioneve dhe partnerëve të OSBE-së.