Në Bruksel u diskutua për doganat, tatimet dhe politikat industriale të Maqedonisë së Veriut

Takimi i 22-të i Nënkomitetit për Tregti, Industri, Dogana dhe Tatime, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut, u mbajt në Bruksel më 30 tetor 2026. Takimi u bashkëkryesua, nga ana e BE-së, nga z. Frederick Swinnen, përfaqësues i Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pranë Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore të Komisionit Evropian, ndërsa nga ana e Maqedonisë së Veriut, nga z. Jumni Ademi, sekretar shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, transmeton Portalb.mk.

Sa i përket tatimeve, Komisioni përshëndeti miratimin e ligjit kombëtar për zbatimin e Direktivës për Shtyllën II. Ai inkurajoi autoritetet të angazhohen më tej në zhvillimin e sistemeve të TI-së në fushën e tatimeve dhe u informua për masat në sektorin e energjisë që lidhen me TVSH-në dhe akcizat. Komisioni rikujtoi rëndësinë e shënimit të përparimit drejt fillimit të shkëmbimit automatik të informacionit për llogaritë financiare me autoritetet e tjera tatimore, në përputhje me Standardin e Përbashkët të Raportimit të OECD-së. Sa i përket doganave, Komisioni konstatoi përmirësime në zbatimin e procedurave doganore dhe në lehtësimin e tyre. Gjithashtu, u konstatua se sistemi SEED+ kontribuon në menaxhimin më efikas të rrezikut dhe në zhdoganimin më të shpejtë, krahas projekteve të tjera të ndryshme të asistencës. Për më tepër, Komisioni përshëndeti zbatimin nga Maqedonia e Veriut të Rregullave të rishikuara të Origjinës të Konventës PEM. Komisioni inkurajoi Maqedoninë e Veriut të miratojë sa më shpejt Ligjin për Kodin Doganor, së bashku me legjislacionin dytësor (zbatues).

Sa i përket politikës së ndërmarrjeve dhe industrisë, Komisioni përshëndeti raportin për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim gjatë vitit 2025 dhe inkurajoi publikimin e rregullt të raporteve të tilla. Maqedonia e Veriut informoi për synimin e saj për të hartuar Strategjinë e re Industriale në vitin 2027. Komisioni inkurajoi miratimin e Strategjisë Industriale gjatë vitit 2027, së bashku me planin e saj të veprimit, duke marrë parasysh transformimin digjital dhe të gjelbër, si dhe qëndrueshmërinë ndaj sfidave. Komisioni përshëndeti përparimin në zbatimin e masave për thjeshtimin e procedurave për ndërmarrjet. Komisioni dha udhëzime lidhur me Autostradën drejt Tregut të Vetëm (Single Market Highway) dhe hapat e mundshëm të ardhshëm, Busullën e Konkurrueshmërisë së BE-së, Marrëveshjen për Industri të Pastër dhe Aktin për Lëndët e Para Kritike. Sa i përket turizmit, Komisioni informoi për zhvillimet më të fundit në politikën e BE-së për turizmin, duke vënë në pah Strategjinë e ardhshme të BE-së për Turizëm të Qëndrueshëm, si dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në fushën e turizmit, në kontekstin e Takimit Ministror për Turizmin e Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Tiranë më 24 nëntor. Komisioni pret miratimin e Strategjisë së re Kombëtare të Maqedonisë së Veriut për Turizmin 2027–2032 deri në fillim të vitit 2027.

Sa u përket çështjeve që lidhen me tregtinë, Komisioni Evropian përshëndeti nivelin vazhdimisht të lartë të integrimit tregtar të vendit me BE-në. Palët shkëmbyen të dhëna të hollësishme statistikore për tregtinë. BE-ja mbetet bindshëm partneri më i madh tregtar i Maqedonisë së Veriut, duke përbërë rreth 76% të eksporteve dhe 50,1% të importeve të saj. Komisioni përshëndeti harmonizimin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut me regjimin e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, pas agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës. Maqedonia e Veriut konfirmoi pjesëmarrjen e saj aktive në punën e CEFTA-s dhe përkushtimin për zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal. Komisioni u bëri thirrje autoriteteve të ofrojnë vazhdimisht informacione lidhur me projektlegjislacionin për kontrollin e eksportit të mallrave me përdorim të dyfishtë dhe mekanizmin e ri për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte (IHD), si dhe harmonizimin e tij me acquis-në e BE-së, në veçanti me rregulloren e re të BE-së për shqyrtimin e investimeve të huaja, dhe ofroi asistencë për këtë harmonizim.

Sa i përket lëvizjes së lirë të mallrave, Komisioni theksoi rëndësinë e harmonizimit të mëtejshëm të legjislacionit në këtë fushë me acquis-në e BE-së, si dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve administrative për zbatimin e kuadrit ligjor. Duke marrë parasysh përparimin e arritur, Komisioni i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut të paraqesë kërkesë për lidhjen e një Marrëveshjeje për Vlerësimin e Konformitetit në fushat me interes. Komisioni informoi për legjislacionin e miratuar dhe atë që pritet të miratohet nga BE-ja në këtë fushë.