RMV, përfundoi debati për ndryshimet e propozuara të Ligjit për marrëdhënie pune
Deputetët sot pasdite e përfunduan debatin për Propozim-ligjin për ndryshime të Ligjit për marrëdhënie pune, që është pjesë e pakos së ligjeve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10, ndërsa votimi do të caktohet shtesë, raporton MIA.
Gjatë debatit deputetët e opozitës ishin në qëndrimin se këto ndryshime ligjore janë në kundërshtim me sundimin e së drejtës, pasi, thonë, ligji i robëron punëtorët, në vend se t’i lirojë. Deputetët e shumicës porositën se ndryshimet e ligjit bëhen që në mënyrë më efektive, më efikase dhe më lirë të realizohen projektet infrastrukturore që janë me interes strategjik dhe nacional.
Sipas deputetes, Ollga Lozanovska nga VMRO-DPMNE, të punohet 72 orë gjatë javës së punës është sulm i drejtpërdrejtë mbi shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve. Lozanovska është me qëndrimin se Ligji për marrëdhënie pune është kundërkushtetues. Sipas saj, Qeveria i shikon interesat e veta, duke i sakrifikuar interesat e punëtorëve dhe familjeve të tyre.
Deputetja Belkisa Zeqiri nga LSDM-ja tha se me këto ndryshime ligjore rregullohet puna shtesë që është në rajon dhe vendet evropiane, si edhe puna të dielën, me pajtim paraprak me shkrim të punëtorit. Ajo përmendi se ndryshimet e ligjit bëhen që në mënyrë sa më efektive, më efikase dhe më të lirë të realizohen projektet që janë me interes strategjik dhe nacional.
Deputetja Lubica Spasova e LSDM-së është me qëndrimin se puna jashtë orarit nuk është eksploatim, por mundësi reale për përfitim ekstra, me dëshirën e punëtorit.
Sipas deputetit Zoranço Jovançev nga VMRO-DPMNE, sjellja e këtij ligji është në kundërshtim me vlerën bazë të sundimit të së drejtës, të paraparë në Kushtetutë dhe se sipas Ligjit për marrëdhënie pune, orari i punës nuk guxon të jetë mbi 40 orë në javë.
Deputeti Dimitar Apasiev i partisë E Majta porositi se me këto ndryshime ligjore propozuesit po përpiqen “të vendosin robëri normale me flamur evropian, me standarde afrikane”. Sipas Apasievit, tani jemi në situatë në të cilën ligji i robëron punëtorët në vend që t’i lirojë, për çka, thotë, pason përgjegjësi penale.
“Kush do të përgjigjet për “Behtel dhe Enka”? Fillimisht, do të përgjigjet Boçvarski si nënshkrues i marrëveshjes, në pajtim me nenin 377 të Kodit Penal për vepër të kryer penale kundër gjyqësisë, mospërmbushjen e vendimit gjyqësor. Më pas, do të përgjigjet propozuesi, në këtë rast propozues është zëvendësministri Enver Hysein, për nenin 361 të Kodit Penal, ndërsa është dokument i falsifikuar. I treti që do të përgjigjet është kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, për veprën penale punë e pandërgjegjshme në shërbim, i cili është obliguar që këtë dokument t’ia kthejë propozuesit”, tha Apasiev.
Deputeti Arbër Ademi i BDI-së potencoi se në propozimin e Ligjit nuk është përcaktuar sa orë do të zhvillohet puna jashtë orarit, pasi kjo varet prej shumë proceseve. Ai i akuzoi deputetët e opozitës se i bllokojnë ligjet dhe nuk caktojnë debat për projekte të cilat janë shumë të rëndësishme për qytetarët.
Për këtë pikë, votimi do të caktohet shtesë. Kuvendi nesër në mesditë do të vazhdojë me punë për seancën e 115-të.
Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.
Ndërkohë, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.
Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.
Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.
Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.
- LEXO: Nuk kemi autostradë, por në Korridorin 8 kemi më shumë automjete se në Korridorin 10 (infografik)
- LEXO: NP “Rrugët Shtetërore” e ka dorëzuar në Prokurori marrëveshjen për Korridorin 8 dhe 10-D
- LEXO: Ministria filloi realizimin e marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D
- LEXO: Ambasada e SHBA-s për Bechtel dhe Enka: Mbështesim investimet në interes të RMV-së, nëse ka aktivitete joadekuate, duhet të hetohen
- LEXO: Përshpejtimi i ndryshimeve ligjore për ndërtimin e autostradës hap kutinë e Pandorës
- LEXO: Grubi: Marrëveshja për autostradat është e fshehtë, nëse nuk votohen ligjet ndërtimi do të jetë më i shtrenjtë se 1,3 miliardë euro
- LEXO: RMV, Kuvendi në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave, u tërhoq ligji për trashëgimi kulturore
- LEXO: RMV, kompania që do të ndërtojë Korridorin 8 dhe të 10-D ka kontratë sy më sy
- LEXO: U nënshkrua marrëveshja për Korridorin 8 dhe 10D mes Qeverisë së RMV-së dhe Behtel-Enka, do të kushtojë 1.3 miliardë euro (VIDEO)
- LEXO: Qeveria e RMV-së e miratoi kontratën për Korridorin 8 dhe 10-D