Krimi dhe korrupsioni në administratën publike kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë në Maqedoninë e Veriut, deklaroi kryerevizori

Krimi dhe korrupsioni në administratën publike kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë. Por ne duhet të përpiqemi t’i ulim në një nivel të pranueshëm – theksoi kryerevizori shtetëror Maksim Acevski në deklaratën e sotme për mediat para fillimit të Forumit Rajonal për parandalimin e korrupsionit dhe vlerësimin e rreziqeve nga korrupsioni në Ballkanin Perëndimor, i cili do të mbahet sot dhe nesër në Shkup, në organizim të Entit Shtetëror të Revizionit, raporton MIA.

“Ky aktivitet në thelb paraqet një veprimtari që ka të bëjë me organizimin e të gjitha institucioneve supreme të revizionit nga Ballkani Perëndimor, zyrave për prokurime publike dhe komisioneve për parandalimin e korrupsionit. Aktiviteti financohet nga CIPFA (Instituti i Certifikuar për Financa Publike dhe Kontabilitet.), me seli në Londër, dhe në thelb ka për qëllim bashkimin e të gjitha institucioneve kompetente, për të diskutuar lidhur me mënyrën e parandalimit të korrupsionit dhe mënyrën e vlerësimit të rreziqeve nga korrupsioni” theksoi ai.

 Acevski tha se janë të vetëdijshëm se asnjë shtet nuk është imun ndaj aktiviteteve korruptive, megjithatë, theksoi ai, duhet të jemi të vetëdijshëm se vazhdimisht duhet të investojmë në aktivitetet për parandalimin e korrupsionit dhe uljen e tij në një nivel të pranueshëm.

“Asnjë shtet nuk mund të thotë se nuk ka korrupsion dhe të gjitha aktivitetet e shteteve, përfshirë edhe tonat, duhet të orientohen drejt parandalimit të korrupsionit dhe uljes së tij në një nivel të pranueshëm” shtoi ai.

Ai theksoi se Enti Shtetëror i Revizionit, si institucioni suprem i revizionit të shtetit, në mënyrë të vazhdueshme, me punën e tij dhe përkushtimin e të punësuarve, kontribuon në parandalimin e korrupsionit dhe përcjelljen e gjendjeve të konstatuara te organet kompetente në rastet kur kanë dyshime për konstatimin e parregullsive të caktuara.

“Jeni dëshmitarë se kohët e fundit disa raporte të revizionit përfunduan në Prokurorinë Publike, të cilat tregojnë për aktivitete jashtëzakonisht të mëdha që kanë elemente të aktiviteteve korruptive dhe besoj se organet kompetente do ta procedojnë të gjithë aktivitetin deri në fund, me qëllim që të mbrohen fondet publike, përkatësisht të mbrohen fondet e tatimpaguesve”, theksoi Acevski.

Ai tha se veprimtaria e tyre është e orientuar drejt ruajtjes së fondeve publike, përkatësisht mbrojtjes së interesave të tatimpaguesve dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore për qytetarët.

“Meqenëse edhe ne revizorët, edhe të gjithë ju si të punësuar në media, jemi përdorues të shërbimeve të caktuara në sektorin publik, qëllimi i përbashkët në thelb është parandalimi i korrupsionit dhe mbrojtja e fondeve të tatimpaguesve” shtoi Acevski.

I pyetur se sa nga institucionet shtetërore i zbatojnë raportet e tyre të revizionit dhe nëse kanë bërë ndonjë anketë se sa ka përmirësim, sepse shpeshherë në raportet e tyre thuhet se kanë paralajmëruar disa herë, ndërsa nuk është ndërmarrë asgjë, Acevski tha se Enti Shtetëror i Revizionit në mënyrë të vazhdueshme mban evidencë për aktivitetet e ndërmarra dhe raporton në raportet vjetore.

“Enti Shtetëror i Revizionit ka vendosur një sistem të evidencës së rekomandimeve të dhëna dhe aktiviteteve të ndërmarra pas rekomandimeve të dhëna. Në të njëjtën kohë, pushteti ekzekutiv, përkatësisht Qeveria, gjatë shqyrtimit të raporteve përfundimtare të caktuara të revizionit e ka atë rol të mbikëqyrjes së organeve ose është përgjegjëse për menaxhimin e subjekteve të caktuara juridike që janë nën kompetencën e drejtpërdrejtë të Qeverisë.Ajo i obligon me konkluzion që gjatë shqyrtimit të raportit përfundimtar të revizionit të përgatisin plan veprimi, të cilin duhet t’ia dorëzojnë Qeverisë dhe Entit Shtetëror të Revizionit. Në bazë të rekomandimeve të lëshuara, të përfshira në raportet përfundimtare të revizionit dhe informatave kthyese, të cilat subjektet që i nënshtrohen revizionit kanë detyrim t’i dorëzojnë brenda 90 ditësh, Enti Shtetëror i Revizionit në mënyrë të vazhdueshme mban evidencë për aktivitetet e ndërmarra dhe raporton në raportet vjetore. Nëse mund të vini re që në shtatë faqet e para të raportit vjetor për punën e Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2025 raportojmë për masat e ndërmarra pas rekomandimeve të dhëna dhe ajo përqindje është diku rreth 85 për qind e masave të ndërmarra pas rekomandimeve të dhëna”, u përgjigj ai.

Por, siç theksoi, kjo nuk do të thotë se çdo institucion ka vepruar sipas rekomandimeve të dhëna.

“Ende kemi nevojë dhe ende organet kompetente kanë detyrim të veprojnë sipas rekomandimeve të dhëna, sepse duhet t’i ekuilibrojmë gjendjet – korrupsionin duhet ta ulim në një nivel të pranueshëm ku nuk do të tronditemi nga pretendime dhe gjendje të caktuara skandaloze, ku nuk do të kemi prokurime të konstatuara, ku pajisje të caktuara do të qëndrojnë me vite të papërdorura ose ku kemi produkte të caktuara që janë prokuruar, por nuk janë vënë në përdorim” shtoi Acevski.

Në pyetjen se sa është kënaqësia me përgjigjen e institucioneve kompetente, nga Kuvendi, sa shpesh i shqyrtojnë raportet e tyre, sa janë të kënaqur me përgjigjen e prokurorive për ato gjetje që janë konstatuar aty, përfshirë edhe raportet për Onkologjinë dhe Lotarinë, – ai tha se është i kënaqur me bashkëpunimin.

“Shkalla e kënaqësisë është në nivel të përshtatshëm, unë jam i kënaqur me bashkëpunimin. A mund ta përmirësojmë bashkëpunimin – sigurisht që duhet dhe mund ta përmirësojmë bashkëpunimin. Javën e kaluar, në organizim të Gjykatës së Revizionit të Francës dhe Entit Shtetëror të Revizionit, patëm një punëtori me përfaqësues të Prokurorisë Publike, Policisë Financiare, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, si dhe të Ministrisë së Financave, përkatësisht Inspektoratit Financiar. Sigurisht që Enti Shtetëror i Revizionit, në fazën e konstatimit të elementeve të caktuara ku kemi dyshim për vepër penale ose gjatë kryerjes së veprës penale, siç ishte rasti me Lotarinë Shtetërore, Institucionin Shëndetësor Publik në Prilep e kështu me radhë, i njofton organet kompetente për ndërmarrjen e aktiviteteve konkrete, për vazhdimin e hetimit të mëtejshëm dhe për ndërmarrjen e aktiviteteve konkrete” u përgjigj Acevski.

Kur flasim për shkallën e veprimit të organeve kompetente, shtoi ai, duhet të merret parasysh edhe mënyra dhe kushtet me të cilat ato disponojnë, si dhe shkalla e disponueshmërisë së burimeve njerëzore dhe mjeteve financiare.