Gjendja në disa spitale të Maqedonisë së Veriut është e mjerueshme, vlerësoi ministri i shëndetësisë

Spitalet publike në Maqedoninë e Veriut po përballen me mungesa të mjekëve dhe infermierëve, të cilët po largohen nga vendi. Kjo nuk është sfida e vetme e sektorit të shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut. Gjendja e disa spitaleve maqedonase është e mjerueshme, thotë Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, i cili këto ditë po qëndron në Shtetet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Zoti ministër, Maqedonia e Veriut po përballet me një situatë të vështirë në sektorin e shëndetësisë. Shumë mjekë dhe infermierë po largohen nga vendi juaj. Ju së fundmi morët një vendim për rritjen e pagave të punonjësve të sektorit të shëndetësisë, për të zbutur disi problemin. A mendoni se është e mjaftueshme? Çfarë masash shtesë mund të merren?

Fatmir Mexhiti: Është e vërtetë. Para disa ditësh, një nga pikat që kemi premtuar, u plotësua. Rritëm pagat për punonjësit shëndetësorë, për mjekët, infermierët dhe të gjithë punonjësit e tjerë shëndetësorë. Por nuk do të ndalemi me kaq. Për vitin e ardhshëm do të mundohemi, normalisht në bazë të buxhetit… e dimë se pas pandemisë COVID, pas krizës ekonomike, arka e shtetit nuk është në gjendje të mirë. Do të mundohemi që së bashku me ministrinë e Financave dhe fondin për sigurim shëndetësor, jo të rrisim pagat, por që punonjësit shëndetësorë të marrin atë që meritojnë, të paguhen për punën që bëjnë. Unë nuk do të ndalem këtu, gjithmonë do të mbajë anën e punonjësve shëndetësorë.

Zëri i Amerikës: Ju vet jeni mjek dhe i keni kritikuar kushtet e spitaleve. Madje jeni shprehur se nuk do të donit të ishit pacient i spitalit të Shtipit, gjatë një vizite që bëtë atje. Cila është strategjia juaj për të përmirësuar kushtet në spitale?

Fatmir Mexhiti: Ne kemi parë saktësisht se cilat janë defektet e sistemit shëndetësor në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Një prej tyre është edhe spitali i Shtipit, që ka nisur punimet e ndërtesës së re, e cila duhej që deri në muajin qershor të lëshohej në përdorim, për t’u shfrytëzuar nga pacientët në lindje të vendit. Por ka një problem juridik. Ne jemi shumë të interesuar dhe kemi bërë gjithçka që të pastrojmë këto problemet juridike dhe ai spital të fillojë të rindërtohet. Me të vetmin qëllim, që pacientët të marrin kushte më të mira shëndetësore. Gjithashtu është edhe një spital në perëndim të vendit, spitali i Kërçovës, ku ai popull fisnik i asaj ane meriton të marrë shërbime më të mira shëndetësore. Para diku mbi 30 vitesh kanë filluar punimet për ndërtimin e spitalit, por nuk është ndërtuar. Ne jemi shumë të interesuar për këtë spital. I kemi bërë të gjitha parapërgatitjet, që të sigurojmë buxhetin nga qeveria për rindërtimin e këtij spitali. Por diçka që dua të theksoj nga vizitat e mia në disa institucione shëndetësore që kam parë deri tani, janë kushtet e mjerueshme në spitalin e Strugës. Për këtë kam dhënë një urdhër. Kemi një njësi projektuese në kuadër të ministrisë së Shëndetësisë… që të dërgojmë atje disa arkitektë, që të bëjnë një plan ideorë dhe që të parashihet në buxhetin e ardhshëm, që edhe ky spital të bëhet realitet, me të vetmin qëllim që edhe këtu, pacientët të marrin shërbime më të mira shëndetësore.

Zëri i Amerikës: Zoti ministër, çfarë po ndodh me klinikën e re spitalore në Shkup? Projekti për të është miratuar para disa vitesh, por punimet ende nuk kanë filluar. A pritet të fillojnë?

Fatmir Mexhiti: Edhe unë jam shumë i interesuar, që një herë e përgjithmonë, shëndetësia në Maqedoni të Veriut të rregullohet. Ky është një projekt kapital. Është një projekt shumë i mirë që duhet të vazhdohet. Ne në kabinet kemi njerëz profesionistë, të të gjitha lëmive shëndetësore. Ne kemi vendosur që për këtë projekt ta kemi edhe një koncept, së bashku me qendrën e re klinike në Shkup. Një koncept për regjionalizimin e komplet shëndetësisë në vend. Që do të thotë se me disa qendra të tjera spitalore të funksionojë shëndetësia në Maqedonia e Veriut.

Zëri i Amerikës: Pjesë e përparësive në strategjinë tuaj është edhe trajtimi i pacientëve të huaj, që në shumicën e rasteve në Maqedoninë e Veriut janë pacientë nga Kosova dhe Shqipëria. Ju keni thënë se do të ndryshoni qasjen ndaj këtyre pacientëve, duke mundësuar trajtim të barabartë si për pacientët e Maqedonisë së Veriut ashtu edhe për pacientët që vijnë nga vendet e huaja. Ku qëndron kjo nismë?

Fatmir Mexhiti: Shumë e vërtetë. Gjatë punës sime disa vjeçare si mjek, ajo që për çdo ditë më ka munduar shumë është se kisha pacientë që ne i quajmë të huajë, por ata janë nga shteti fqinj i Kosovës – dhe të Shqipërisë që vijnë për trajtim ortopedik në Ohër dhe Strugë. Në shëndetësinë publike kanë ekzistuar çmime të dyfishta për këta pacientë, ndërsa në shëndetësinë private çmimi është i njëjtë si për maqedonasit ashtu edhe për të huajt. Pacientët e huaj që vijnë në Maqedoni të Veriut nuk janë anglezë, janë nga Kosova dhe Shqipëria. Unë nga dita e parë kam marrë masa dhe kam pasur takime edhe me ambasadorin e Kosovës. Dhe kam marrë masa që të nivelizohen dhe çmimi të jetë i njëjtë edhe për këta pacientë që ne i quajmë të huaj.

Zëri i Amerikës: Një raport i fundit i UNICEF-it tregon se pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, bota përjetoi rënie të besimit sa i përket imunizimit të fëmijëve, kryesisht për shkak të dezinformimit. Maqedonia e Veriut, thekson raporti, është një nga vendet me numrin më të lartë të fëmijëve nën moshën një vjeçare të pavaksinuar. Çfarë po bëni për ta zgjidhur këtë problem?

Fatmir Mexhiti: Prej ditës së parë si ministër kam pasur disa takime me përfaqësuesit e UNICEF-it. Ne kemi ndërmarrë masa të menjëhershme dhe kemi prezantuar një platformë që e quajmë “E-Shëndetësia”, në të cilën të gjithë prindërit ose familjarët e fëmijëve, të qartësohen, të mos përhapen spekulime se vaksinat janë të dëmshme. Aty mund të futen, të klikojnë dhe të marrin të gjitha informatat, nëse vaksinat kanë efekte anësore për sëmundje të veçanta apo jo. Të gjitha pyetjet mund t’i qartësojnë, se vaksinimi mbron jetën e fëmijëve mbron shëndetin e qytetarëve. Patjetër se duam të rrisim numrin e të vaksinuarve dhe po punojmë shumë në këtë drejtim.