Kryetari i Partisë Demokratike u largua nga partia

Kreu në detyrë i Partisë Demokratike, vendosi të japë dorëheqjen nga drejtimi i PD, raporton EN. Në një komunikim për mediat Alibeaj tha se gjithsecili nga strukturat e Partisë Demokratike duhet të mbajë pëegjegjësinë e tij për zgjedhjet, ndaj në shenjë reflektimi ai vendosi të largohet nga posti drejtues i PD.

“Ne duhet të analizojmë me seriozitet efektet e përçarjes së Partisë Demokratike në rezultatin e zgjedhjeve. Ne duhet të vlerësojmë si duhet punën e bërë në terren nga strukturat e partisë, impenjimin e gjithësecilit, kontributin e gjithësecilit, për të kuptuar çfarë shkoi keq dhe çfarë shkoi si duhet.

Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar.

Partia duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, siç e kam theksuar vazhdimisht gjatë fushatës elektorale. Partia duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-en.

Ne do të duhet të kuptojmë se si t’u flasim jo vetëm demokratëve, por edhe atyre qytetarëve të zhgënjyer nga politika e 30 viteve, të cilët përbëjnë shumicën e heshtur në vend”,-tha Enkelejd Alibeaj.