Ne e ndotim pastaj pyesim kush duhet ta pastrojë?

Sot, duke kaluar me djalin tim në Bulevardin Brigada Maqedone- Kosovare në Fushë Topanë nga ana e parqeve të vogla, më ra në sy një pamje që të bën të reflektosh në ndërgjegjen e qenies të quajtur Njeri.

Më kujtohet që para dy-tre vitesh kjo hapësirë u rinovua disi. U krijua një rrugicë e vogël me begatonka për të kaluar këmbësorët, u krijuan kënde lojërash dhe ca pushimore prej druri nën freskinë e drunjëve që krijojnë hije, sidomos në ditët e nxehta verore. Por ama, mes atij gjelbërimit gjen edhe shishe plastike, qese, ambalazhe… madje edhe pampersa të hedhura aty ku fëmijët luajnë.

Dhe pyeta veten: A është kjo kultura jonë ekologjike?

Ne i dërgojmë fëmijët në park për t’u dhënë ajër të pastër, ndërsa vetë e ndotim atë mjedis. A u themi vallë të mos hedhin mbeturina në tokë se po e vrasim gjelbërimin?! Apo pa ju thënë këtë i hudhim vet në sy të tyre. Pimë ujë rrugës deri te xhamia për tu lutur dhe pasi e pimë, shishen e lëmë pas këmbëve tona?! Edhe besimi ynë na mëson se natyra dhe mjedisi duhet respektuar. Atëherë çfarë kuptimi ka të flasim për Zotin, të lutemi në xhami ndërsa dëmtojmë atë që Ai na ka besuar? Pastaj kërkojmë përgjegjësi nga të tjerët. Themi se Komuna nuk pastron. Po kush duhet ta pastrojë gjithmonë atë që ne me duart tona e ndotim?

Çdo mëngjes, kur e çoj djalin në çerdhe, shoh punëtorët komunalë duke pastruar rrugët. I shoh duke punuar me djersë, duke fituar bukën e tyre me nder. Dhe më duket e padrejtë që ne, “të qytetëruarit”, t’ua lëmë atyre pasojat e mungesës së edukatës sonë.

Foto: Ardita Abduli
Foto: Ardita Abduli

Po mendoja se sa herë ju themi fëmijëve të mësojnë e të lexojnë në shkollë. Ndërsa a ju themi se mjedisi ku jetojmë nuk mirëmbahet kur ne e shkoqim një libër dhe e hedhim aty ku ulemi. Edukata fillon në dorën që mban një shishe apo një qese dhe vendos të mos e hedhë në tokë.

Nuk e shkruaj këtë për të fyer askënd. E shkruaj si një qytetare që dëshiron të shohë qytetin e saj më të pastër, më të bukur dhe më të ndërgjegjshëm, sepse parku nuk është “i komunës”.
Parku është i yni. Dhe ndoshta, para se të pyesim “Pse nuk po e pastrojnë?”, duhet të pyesim veten: Pse po e ndotim?”