Në njërin sektor në Maqedoninë e Veriut kemi rritje për 132 përqind, në sektorin tjetër rënie  të prodhimit për 48 përqind

Në industrinë e Maqedonisë së Veriut kemi rënie të prodhimit për 1.9 përqind, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, ndërkohë kjo rënie nuk është e njëjtë në të gjithë sektorët, transmeton Portalb.mk.

Në sektorin e prodhimit të duhanit, gjatë muajit gusht kemi rritje për 132.9 përqind, krahasuar me gushtin e kaluar. Në këtë periudhë, rënie më e madhe e prodhimit u regjistrua te nxjerrja e qymyrit dhe linjitit për 48.3 përqind.

“Prodhimi industrial në sektorin Miniera dhe gurorë gjatë muajit gusht të vitit 2026, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, shënon rënie prej 10.1%, në sektorin Industria përpunuese shënon rënie prej 1.3%, ndërsa në sektorin Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar shënon rritje prej 0.8%”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.