RMV, në mesnatë përfundon afati për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët për presidentë dhe deputetë

Sot në mesnatë përfundon mbledhja e nënshkrimeve të qytetarëve për kandidaturat e presidentëve dhe deputetëve, e cila ka nisur pikërisht dy javë më parë, më 23 shkurt. Në zyrat rajonale të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), qytetarët deri në ora 24:00 të mbrëmjes së sotme do të mund të japin nënshkrimet për një nga pretendentët për kryetar të shtetit apo për listat e pavarura të deputetëve, transmeton Portalb.mk.

Gjithsej 15 kandidatë mbledhin dhjetë mijë nënshkrime për kandidim në zgjedhjet presidenciale. Shtatë prej tyre tashmë kanë arritur të mbledhin numrin e duhur të nënshkrimeve të qytetarëve dhe të sigurojnë një vend në garën për kreun e shtetit, raundi i parë i së cilës do të mbahet më 24 prill dhe i dyti më 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Minimumi i nevojshëm prej 10.000 nënshkrimeve për kandidaturën presidenciale deri më tani e kanë fituar – Bujar Osmani (BDI), Arben Taravari (Koalicioni “Vlen”), Maksim Dimitrievski (Lëvizja ZNAM), Stevço Jakimovski (GROM), Biljana Vankovska-Cvetkovska (E Majta), si dhe kandidatët e LSDM-së, Stevo Pendarovski dhe të VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova. Tetë kandidatët e tjerë janë ende në proces të mbledhjes së nënshkrimeve. Me to, numri i nënshkrimeve të qytetarëve të mbledhur nga data 23 shkurt deri më 6 mars varion nga 0 deri në 2100.

Mbledhja e nënshkrimeve të qytetarëve për kandidaturat presidenciale dhe deputetëve në zyrat rajonale të KSHZ-së dhe te noterët e autorizuar filloi më 23 shkurt (e premte) dhe do të zgjasë deri në mesnatën e 8 marsit (e premte).

Kujtojmë se Kuvendi dje me 84 vota për dhe 2 abstenime, miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, me çka votuesit do të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar afati i vlefshmërisë brenda nëntë muajve deri në ditën e zgjedhjeve.